Aktuale

Ministri Abrashi takoi shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, priti sot në një takim shefen e Zyrës dhe Përfaqësuesen Speciale të BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Siç njofton (MPMS), ministri Abrashi e njoftoi znj. Apostolova për projektet e MPMS-së dhe zhvillimet politike në vend, ku shpjegoi projektet e ministrisë që kanë synim rritjen e punësimit, siç janë subvencionet për paga, grantet për vetëpunësim, aftësimet profesionale dhe trajnimet në vend të punës, etj.

Gjithashtu, Abrashi e njoftoi mysafiren për reformat në pensione dhe mirëqenie sociale, në reformimin e skemës së pensioneve bazike duke kursyer dhjetëra miliona euro, reformimin e asistencës sociale që do të stimulojë punësimin e atyre që varen nga këto ndihma, etj.

Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova shfaqi  interesim për projektet e MPMS-së dhe për zhvillimet politike në vend.

Apostolova shfaqi veçanërisht interesim për dialogun mes partnerëve socialë si mekanizëm për përfshirje sociale dhe zhvillim të barabartë, si dhe zbatimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, në mënyrë që Kosova të fillojë të përfitojë nga të gjitha programet që ofrohen me këtë marrëveshje, transmeton KosovaPress.