Aktuale

“Ministrat e AKR-së do ta kenë shef Pacollin”

Kryetari i Kuvendit të Aleancës Kosova e Re, Fatmir Matoshi, ka thënë se shefi i tij në parti, Behgjet Pacolli, asnjëherë nuk e ka thënë se nuk do të bëjë kurrë koalicion me PDK-në.

“Z. Pacolli nuk ka thënë kurrë se nuk do të hyjë kurrë në koalicion me PDK-në. Z. Pacolli ka bërë thirrje se njerëz brenda PDK-së janë e keqja e këtij vendi, siç ka të tillë edhe në partitë e tjera. Por tash kjo çështje është tejkaluar dhe ne jemi në qeveri”, ka thënë Matoshi, në Interaktiv të KTV-së.

Ai e ka mohuar se fushata e tyre bashkë me LDK-në është orientuar totalisht kundër PAN-it.

“Ne nuk kemi prezantuar gjithçka të kundërt, afërsisht ofertat elektorale nuk kanë dalluar shumë nga të gjitha partitë. Dëshira jonë ka qenë që PDK-në ta çojmë në opozitë. Ajo nuk po mbetet në pushtet fal nesh, por fal kryeneçësisë së LDK-së dhe LVV-së”, ka thënë Matoshi.

Kryetari i Kuvendit të AKR-së, ka thënë se koalicioni parazgjedhor me LDK-në i ka dëmtuar, duke thënë se janë së paku edhe tri deputete në listë të pritjes, që në rast se do të shkonte e vetme AKR-ja do të mund të bëheshin deputete dhe ta çonin së paku në 7 numrin e deputetëve të AKR-së.

“Ne jemi dëmtuar në masë të madhe në koalicion me LDK-në”, ka thënë ai.

Matoshi ka thënë se ministrat e AKR-së fillimisht do ta kenë shef Behgjet Pacollin.

“Nuk do të ketë asnjë përzierje të partive të tjera në ato dikastere që ne marrim për të drejtuar, kështu që do të punojmë me duar të lira. Nuk do të jetë qeveri brenda qeverisë, por shef i ministrat e AKR-së do ta kenë në radhë të parë shef z. Pacolli, por kryeministër do ta kenë z. Haradinaj. Ministrat e kanë shef kryetarin e partisë”, ka thënë ai.

Në bazë të marrëveshjes së nënshkruar, AKR-ja do të ketë zëvendëskryeministrin e parë, do të drejtojë edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministria e Bujqësisë.

“Nëse i shikoni këto ministri janë fusha në të cilat AKR-ja është e dëshmuar, dhe në të cilat pritet që AKR-ja të dëshmojë punën edhe në qeverisje. E shohim se diplomacia ka ngecur, dhe AKR-ja më mirë se kushdo tjetër do ta udhëheq diplomacinë e Kosovës”, ka thënë Matoshi, teksa ka shtuar se ai personalisht do të dëshironte “që z. Pacolli të jetë zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i jashtëm i Kosovës”.

Duke komentuar nëse AKR-ja i beson njëmend pikës në të cilën parashihet që z. Pacolli të bëhet president kur mandatin e parë ta kryejë Hashim Thaçi, Matoshi ka thënë se “do të ishte një fat i madh për Kosovën nëse z.Pacolli do të ishte president i Kosovës”.

“Ka një dakordim të këtij spektri politik që z. Pacolli të jetë kandidati i vetëm për president edhe nëse votohet në Kuvend edhe nëse ndryshohet ligji dhe presidenti votohet direkt nga populli”, ka thënë Matoshi.

Matoshi ka thënë se ata janë gati për Seancë kurdo që ajo thirret. Në ndërkohë ka komentuar edhe deklaratat e Korab Sejdiut, që ka thënë se edhe sikur 119 deputet e votojnë PAN-in ai s’do ta bëjë.

“Është në përgjegjësinë individuale të deputetëve të vendosin. Ne e respektojmë atë që ka thënë z. Sejdiu dhe atë që do të veprojë z. Sejdiu”, ka thënë ai.