Puna në ndërmarrjen Trepça ka filluar përsëri.
Nisjen e saj e mundësoi pajtueshmëria e arritur mes të gjitha palëve kryesore të këtij kombinati.
Bordi, Menaxhmenti, Sindikata si dhe punëtorët e tij vendosën që të ndalet greva dy ditore, e cila nisi si rezultat i mos marrjes së pagave për muajin tetor dhe kushteve jo të mira.
Lajmin, e ka bërë të ditur, Drejtori i Bordit të “Trepçës”, Ardian Syla.
Sipas tij pagat për muajin tetor si dhe pjesa e mbetur e dy muajve paraprak do të ekzekutohen shumë shpejtë.
Postimi i tij i plotë në Facebook:
Rifillon puna në ndërmarrjen Trepça!
Pas negociatave nga të gjitha palët në ndërmarrjen Trepça; Bordi, Menaxhmenti, Sindikata si dhe punëtorët e ndërmarrjes Trepça, puna në minierën e Stantërgut pas një ndërprerje dy ditore ka rifilluar.
Kohëve të fundit, Trepça është duke u përballur me gjendje jo të mirë financiare. Në mungesë të prodhimit kemi pasur edhe jo likuiditet financiar, prandaj ka pasur edhe vonesa në ekzekutimin e pagave si dhe obligimeve tjera. Ndërmarrja Trepça është ndërmarrje prodhuese, prandaj edhe gjithë funksionimi i saj varet nga nxjerrja, përpunimi dhe prodhimi i koncentratit.
Pagat për muajin tetor si dhe pjesa e mbetur e dy muajve paraprak do të ekzekutohen shumë shpejtë, pas liferimit të sasisë së grumbulluar së koncentratit të plumbit dhe zinkut.
Rregullimi i cilësisë së ushqimit si dhe kushtet tjera të punës për punëtorët në minierë janë në përfundim e sipër.
Tremujori i fundit ka qenë shpresëdhënës duke treguar trend të rritjes së prodhimit prandaj Trepçës i është kthyer shpresa sado e vogël për një stabilitet financiar. Prandaj, çdo grevë eventuale vetëm se do të pengonte zhvillimin e mëtutjeshëm të ndërmarrjes.
Falenderojmë gjithë punëtorë e Trepçës për mirëkuptimin e tyre si dhe kontributin e dhënë ndër vite në zhvillimin e ndërmarrjes Trepça.
Me Fat!