Aktuale

Milaim Zeka: Albin Kurti e ka vjedhur idenë e Nismës

Deputeti i Nisma për Kosovën, Milaim Zeka, ka thënë se letra e Albin Kurtit, kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, është vetëm tallje me publikun.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se letra e Albin Kurtit nuk është asgjë tjetër përveç për të bërë “llugë” edhe më shumë situatën në Kuvend.

Zeka konsideron se zhbllokimi i situatës në Kuvend, mund të bëhet vetëm me vullnetin dhe guximin brenda PAN-it dhe nëse Kadri Veseli nuk do të votohet më 24 gusht për kryetar, sipas tij, PAN do të dalë me një propozim tjetër.

Ndryshe, kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje Albin Kurti, sot përmes një letre të hapur ka dhënë opinionin e tij për të dalë nga bllokimi institucional në vend.

Postimi i plotë i Milaim Zekës:

Albin Kurti e ka vjedhur idenë e NISMËS

Letra e hapur është vetëm tallje me publikun

Nuk kam pasur ndërmend të shkruaj, të paktën deri ditën e mërkurë. Arsyeja e këtij shkrimi është vjedhja e idesë, dhe propozimit tim të bërë në fillim të kësaj jave, nga ana e Albin Kurtit, të VV. Fatkeqësisht, këtë karamel të vjedhur, i pari e paska përbi Lutfi Haziri i LDK-së, i cili, kurrë nuk koordinohet me partine e tij se çfarë duhet të flasë. Luta flet ndryshe, Agim Veliu, ndryshe. Luta mundet me fol ndryshe, ama në emrin e tij personal.

Letra e Albin Kurtit nuk është asgjë tjetër, përpos që më bë hala më llugë situatën në Parlament. Është letër, përmes së cilës u bënë thirrje deputetëve për me shkel Kushtetutën e Kosovës, që vetëm tash i ka ra ndërmend që na qenka e keqe. Zhbllokimi i situatës në Kuvend, ashtu sikurse kam paralajmëruar në fillim të kësaj jave, mund të zgjidhet vetëm me vullnetin dhe guximin brenda PAN-it. Nëse Kadri Veseli nuk do të votohet ditën e enjte për kryetar, normalisht që PAN- do të dalë me një propozim tjetër, me një kandidat që do të votohej nga shumica. Si do të tingëllonte për publikun e gjerë, në qofte se PAN- do të dalë me një propozim të vetin, ku në vend të Aida Dërgutit të VV, ta propozonim Rexhep Selimin, ose në vend të Kujtim Shalës të LDK-së, të propozonim Labinot Tahirin për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës?! Propozimi i Kurtit është vetëm për me bë hajgare, asgjë tjetër. Dhe këtë hajgare, shpresoj që përpos Lutfi Hazirit, askush tjetër të mos e marrë seriozisht!