Rajon & Botë

Mijëra francezë protestojnë kundër martesave të homoseksualëve

Dhjetëra mijëra njerëz kanë dalë sot në rrugët e Parisit që të protestojnë kundër martesave të njerëzve me gjini të njëjtë.

Protestuesit u kanë bërë thirrje kandidatëve për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen vitin e ardshme të mbështesin “vlerat tradicionale të familjes”.

AFP transmeton se marshin protestues shkurt e kanë ndërprerë gjashtë demonstruese  të zhveshura nga organizata “Femen”, e ku më pastaj ka ndërhyrë policia.

Demonstrata të ngjashme janë aktivizuar sërish pas dy vitesh, ndërsa pjesëmarrësit mbanin në duar “Një baba, një nënë”.

Sipas Policisë në protestë kanë marrë pjesë deri në 24 mijë njerëz.

Martesat e gjinisë së njëjtë në Francë janë lejuar me ligj që nga viti 2013.