Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, seksioni i Shkencave Shoqërore mbajti tryezë shkencore për migrimet, ku u tha se arsyet kryesore që dërgojnë deri te mërgimi politike, sociale e kulturore.
Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Hivzi Islami, në këtë tryezë bëri prezantimin e temës “Push” dhe “Pull”, faktorët në migrimin e jashtëm”, ku tha se migrimet në të dy drejtimet mund të përmblidhen me ato të natyrës ekonomike, politike, historike, fetare dhe klasore.
“Ky tip i migrimeve përcillet dhe nga faza të adaptimit të integrimit dhe asimilimit mjedisin e ri natyrorë dhe socio-kulturorë. Ndërsa, nostalgjia e emigrantëve mbetet komponentë përcjellëse në të gjitha fazat. Nga teoria e migrimeve dhe hulumtimet empirike mësohet se migrimet ndërkombëtare ndikon një varg i tërë i faktorëve të ndërlikuar dhe shpesh reciprokisht të lidhura dhe të kushtëzuar, ku në një anë janë push faktorët dhe në anën tjetër pull faktorët. Skema e përgjithshme e determinanteve se këto migrime në dy drejtimet mund të përmblidhen me ato të natyrës ekonomike, politike, historike, fetare, klasore, etj”, tha ai.
Kurse, Arsim Canolli, profesor në Universitetin e Prishtinës, prezantoi temën “’Janë zhdjergë në shehër’ – një pamje etnografike e migrimit të brendshëm, fshat-qytet në Kosovë”, ku tha se gjatë periudhës së Jugosllavisë shkaqet kryesore të migrimit të brendshëm janë motivet sociale, ekonomike, kulturore dhe politike.
“Shkaqet dhe arsyet kryesore të emigracionit të brendshëm në Kosovë gjatë Kosovës së Jugosllavisë duket se janë këto, së pari del të jetë sistemi industrial i punësimit i cili ka përthithë punëtorë nga viset rurale në ato urbane. Së dyti, sistemi i edukimit të lartë i koncentruar kryesisht në qytet dhe qytete të mëdha dhe së treti janë arsyet, shkaqet me motive sociale, ekonomike, kulturore, politike të cilat variojnë prej më të ndryshme”, tha Canolli.
Po ashtu, ai tha se ky numër i migrimit nga fshatrat në qytete pas luftës së fundit në Kosovë është rritur më shumë.
Paneliste në këtë tryezë ishte edhe Lumnije Kadriu, e cila prezantoi temën “Diaspora shqiptare e Kosovës, brenda përkufizimit të diasporës dhe transnacionalizmit”, ku tha se klasifikimet e diasporave të ndryshme u bë jo vetëm sipas arsyes së shpërndarjes së tyre nga vendlindja por edhe sipas lidhjeve dhe raporteve të diasporës me vendin e origjinës.
“Klasifikimet e diasporave të ndryshme u bë jo vetëm sipas arsyes së shpërndarjes së tyre nga vendlindja e tyre dhe kjo shpërndarje që zakonisht ishte e dhunshme dhe dramatike e kjo kontribuonte në ruajtjen e kujtimeve për të, idealizimin e saj, lojalitetin ndaj saj etj. Por gjithashtu edhe sipas lidhjeve dhe raporteve të diasporës me vendin e origjinës, do të thotë vendlindjes, prandaj edhe ndeshim terme si diasporë klasike, diasporë viktimë, diasporë e tregtisë etj. Disa grupe të tjera të emigrantëve për shkak të angazhimit të tyre të vazhdueshëm politik me vendlindje, përfshihet përkrahja terroriste dhe ultra nacionaliste u klasifikua si nacionalist në distancë, e në këtë grup përfshihen edhe shqiptarët. Si rezultat i përhapjes së më tejme të termit diasporë gjithashtu u përfshi si kategori diaspora e punës e cila mbronte lidhje emocionale dhe sociale me vendlindjen”, tha ajo.
Në këtë tryezë u diskutuan edhe tema të tjera të cilat kishin të bënin me migrimin, ku disa nga temat ishin, “Analizë gjeografike e zonave migruese në regjionin lindor të Kosovës”, “Kujtesa dhe rrëfimet mbi eksodin e vitit 1999”, Migrimet e jashtme në Luginën e Preshevës: faktorët përcaktues dhe efektet”, etj./KosovaPress/