Aktuale

MFSK arrin marrëveshje bashkëpunimi me ANP-në

Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës (MFSK) dhe Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” nënshkruan sot marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet këtyre dy institucioneve , e cila ka për qëllim mbështetjen në planin emergjent të LIMAK-ANP-së nga MFSK/FSK-ja.

Marrëveshja u nënshkrua nga Shkelzen Sylaj, sekretar i përgjithshëm i MFSK-së dhe Adem Gashi, drejtor i Departamentit të Operimeve dhe Mirëmbajtjes, në emër të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Në tekstin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet MFSK/FSK-së dhe Limak-ANP-së janë konkretizuar aspektet e këtij bashkëpunimi dhe janë caktuar njësitë e specializuara të cilat do të reagojnë në raste emergjente; njësitë e Regjimentit të Mbrojtjes Civile dhe Kompania e Mjekësisë, të cilat FSK-ja do t’i angazhojë në rastet kur Limak-ANP-ja kërkon nga FSK-ja.

Kjo është marrëveshja e parë e bashkëpunimit ndërmjet MFSK-së dhe Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, dhe se përgjegjës për zbatimin e saj janë të dy palët.