Ministria e Financave nuk ka arritur të realizojë projeksionin që brenda një viti të shlyhen 720 milion euro borxhe të qytetarëve dhe bizneseve.
Nga kjo shumë janë falur vetëm 120 milion euro. Me kërkesë të qytetarëve dhe përfaqësuesve të bizneseve, Ministria e Financave ka marrë vendim të dërgojë në Kuvend një amendamentin të ligjit për Faljen e Borxheve, i cili mundëson shtyrjen e afatit edhe për 6 muaj. Kjo do të u jap mundësi qytetarëve dhe bizneseve që të procedojnë kërkesat për shlyerjen e borxheve.
Ministri i kësaj ministrie, Avdullah Hoti, në një konferencë për media tha se kanë shumë kërkesa për shtyrjen e këtij afati, jo vetëm nga qytetarët, por edhe nga shoqata të ndryshme.
Hoti: Kemi shumë kërkesa, do të kërkojmë afat shtesë edhe për 6 muaj
Video:
“Ditëve të fundit në Ministrinë e Financave kemi pranuar shumë kërkesa edhe nga qytetarë individualisht edhe nga shoqata të ndryshme, edhe nga Oda Ekonomike, për të shtyrë afatin për faljen e borxheve. Unë jam konsultuar ngushtë me kryeministrin Mustafa, është qëndrim edhe i kryeministrit që të konsiderojmë shtyrjen e afatit edhe për gjashtë muaj të tjerë të ligjit për faljen e borxheve. Duke qenë që ligji mbaron sot, ne do të fillojmë procedurat e amendamentit të shpejtë të ligjit dhe besoj që në seancën e parë të Kuvendit që do të ndodh në pjesën e dytë të shtatorit, ta procedojmë në Kuvend amendamentin e ligjit për faljen e borxhit, sepse kjo është çështje ligjore nuk është çështje e vendimeve të Ministrisë së Financave ose të Qeverisë”, tha Hoti.
Hoti, po ashtu tha se nuk janë shumë të kënaqur me rezultatet që ka sjellë ky ligj.
“Mendoj që rezultatet janë relativisht të kënaqshme. Jo komplet atë që e kemi pritur…Deri më tash vlerësimet tona preliminare janë që janë falur mbi 120 milion euro borxhe. Një pjesë tjetër e konsiderueshme janë riprogramuar për tu paguar në dy ose tre vitet e ardhshme. Kemi arrit të inkasojmë mbi 50 mijë euro borxhe. Sepse janë të ndërlidhura pjesa që falet dhe pjesa që duhet.”, tha Hoti.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka përgëzuar ministrin e Financave , Avdullah Hotin për vendimet që ky ka marrë gjatë viteve 2015-2016 për zhvillimin ekonomik të vendit.
“Viti 2015-2016, janë vite të dialogut publiko privat. Po e shihni gjithë ata skeptik që kanë dyshuar në lobimin tonë sot po shndërrohet në realitet…Përkundër agjendës të stërngarkuar politike, ekonomia ka bërë që mos të anashkalohet ….Ajo çka e veçon këtë vit përveç agjendës politike është një qasje pak më ndryshe sa i përket proceseve ekonomike. Besoj që është viti i disiplinës financiare , është viti i ndaljes së tenderomanisë masive dhe e tërë kjo e hap një perspektivë të re për sektorin privat dhe komunitetin e bizneset, që ardhmërinë ta shohin me një dozë të optimizmit më të lartë”, tha Gërxhaliu.
Hoti po ashtu tha se nuk e kanë në plan të ndryshojnë përmbajtjen e ligjit, por do të bëhet vetëm ndryshimi i afatit kohor. Ligji krijon mundësi për ata që janë të gatshëm të paguajnë.
Ai tha se vlera e përgjithshme që është paraparë të falet është 720 milion euro.
“Ligji do të ketë efekt retroaktiv prej 2 shtatorit të këtij viti. Pas sotit nuk do të kenë mundësi qytetarët të kryejnë procedurat e shlyerjes së borxhit ose të bëjë marrëveshje me ndërmarrjet publike derisa nuk e amandamentojmë ligjit…Sa i përket shumë së borxheve në total është dikund 720 milion euro, kryesisht janë borxhe të KEK tash KEDS dhe një pjesë e konsiderueshme të ATK-së”,tha Hoti.
Hoti pret që ky ndryshim i ligjit do të ndodh gjatë këtij muaji në seancën e parë që do të mbahet./KP