Një i burgosur ka vdekur dje në mbrëmje në orën 20:15 në Qendrën e Paraburgimit në Dubravë. Agjencia e Lajmeve FaktePlus mëson se i vdekuri është Florim N. Imeri, nga Vushtrria.
Rasti është konfirmuar edhe nga Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK), duke thënë se intervenimi i stafit korrektues ka qenë i menjëhershëm, por përkundër përpjekjeve nuk është arritur të kthehet në jetë.
Sipas asaj që ka njoftuar SHKK, thuhet se 23 vjeçari ka bërë vetëvrasje, duke varur veten me jelekun e tij në grillat prapa derës së dhomës së qelisë.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus, mëson se bëhet fjalë për Florim N. Imeri, nga Vushtrria.
Tashmë i ndjeri, ishte dënuar për veprën penale lëndim i rëndë trupor me 2 vite e 12 ditë burgim. Ai ishte arrestuar më 8 janar të këtij viti, ndërsa do të lirohej më 20 tetor të vitit të ardhshëm.
Siç mëson FaktePlus i burgosuri Florim Imeri më 30 korrik të këtij viti ishte bartur nga Pavijoni 2 në Pavijonin 5 për arsye të rrahjes me një të burgosur tjetër.
Ndërsa, që nga ajo kohë Imeri ka qenë i vetmuar në qeli ku edhe gjeti vdekjen.
Florim N.Imeri kishte lindur më 24 shtator të vitit 1996 në Vushtrri./FaktePlus