Aktuale

Merr pagë për pozitën që mbanë me kontratë të skaduar që 4 vite

Një punëtore në Ministrinë e Shëndetësisë merr pagë në kuadër të Administratës Qendrore të MSH-së edhe pse kontrata e saj ka skaduar që katër vite.
Kështu të paktën thotë raporti i Auditorit për Ministrinë e Shëndetësisë.

“E punësuara në pozitën Shefe e Njësisë për furnizim në departamentin farmaceutik në MSh është identifikuar në listën e pagave në kuadër të Administratës Qendrore të MSh-së edhe pse kontrata e saj ka skaduar në prill të vitit 2013” thuhet në raport.
E punësuara kompensohet me 50% të pagës si rezultat i pezullimit për çështje gjyqësore në prill të vitit 2014

“Ligji për Shërbimin Civil” përkatësisht Neni 96 dhe 97 përcaktojnë qartë afatin dhe kushtet e zëvendësimit të kontratave të punës të Shërbimit Civil me shkresa të emërimit pa afat. Një konfirmim i tillë i punësimit nuk ka ndodhur me rastin e identifikuar pasi nuk është nënshkruar akti i emërimit. E punësuara kompensohet me 50% të pagës si rezultat i pezullimit për çështje gjyqësore në prill të vitit 2014” thuhet në raportin e Auditorit.

Sipas ZKA-së, kompensimi i stafit në mungesë të kontratës/akt-emërimit valid, është në kundërshtim me ligjin dhe rregulloret e shërbyesve civil dhe mund të rezultojë me pagesa të parregullta dhe dëmtim të buxhetit.

ZKA rekomandon që ministri duhet të sigurojë që çdo i punësuar që përfiton pagë në kuadër të MSh-së, të ketë dokument valid që vërteton marrëdhënien e punës dhe dosjen e kompletuar siç parashihet me kornizën ligjore.