Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, ka paralajmëruar se deri 70 për qind e popullsisë së vendit – rreth 58 milionë njerëz – mund të infektohen me koronavirus.
Zonja Merkel e bëri këtë parashikim të frikshëm gjatë një konference për gazetarë së bashku me ministrin e shëndetësisë, Jens Spahn.
Ajo tha se ende nuk ekziston ndonjë ilaç i njohur për shërimin e virusit të ri dhe për këtë arsye shteti do të përqendrohet në ngadalësimin e përhapjes së virusit.
Deklarata e saj erdhi në kohën kur Italia ka hyrë në ditën e dytë të izolimit mbarëkombëtar, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.
Kryeministri italian, Giuseppe Conte, mori vendim për mbylljen e shkollave, palestrave, muzeve, klubeve të natës dhe objekteve të tjera në tërë vendin pasi numri i personave të infektuar e kaloi shifrën e 10 mijë njerëzve.
Ndryshe, në Gjermani u regjistrua viktima e tretë e koronavirusit. Gjermania deri më tani i ka konfirmuar 1296 raste të infektimeve dhe është njëra prej vendeve me shkallën më të ulët të vdekshmërisë së personave të infektuar.