Rajon & Botë

Merkel kërkon heqjen e ndalimit të vizitave të deputetëve gjermanë në bazën ajrore turke Inçirlik

Kancelarja gjermane, Angela Merkel pret që vendimi i Turqisë për të ndaluar vizitat e parlamentarëve gjermanë, në bazën ajrore në Inçirlik, të hiqet së shpejti.

Pas një takimi njëorësh me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, kancelarja Merkel tha se “beson se do të ketë një lajm pozitiv për situatën gjatë ditëve të ardhshme”.

Takimi u bë pasi kancelarja gjermane zbuti tensionet lidhur me një rezolutë parlamentare të miratuar në Berlin në muajin maj, ku e cilëson ”gjenocid” vrasjen masive të armenëve nga Perandoria Osmane në vitin 1915-1919.

Qeveria gjermane tha se rezoluta nuk ishte ligjërisht e detyrueshme.

Zyrtarët turq kanë bllokuar delegacionet politike gjermane për të vizituar bazën ushtarake si kundërpërgjigje ndaj rezolutës parlamentare.

Turqia kundërshton përdorimin e fjalës “gjenocid”. Më shumë se 200 ushtarë gjermanë, të cilët punojnë në mbështetje të fushatës ushtarake të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër Shtetit Islamik, janë dislokuar në Inçirlik.