Aktuale

Mërgimtarët e VV’së në Norvegji e përkrahin protestën e 1 shtatorit

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Norvegji ka bërë të ditur se përkrahë fuqishëm protestën e 1 shtatorit kundër marrëveshjes së demarkacionit mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj malazeze.

Sipas komunikatës dërguar për media thuhet se Kosova do të humbë pika strategjike ushtarake, burime ujore dhe trashëgimin e bjeshkëve të zonës.

“Që këto toka i takojnë Kosovës e kanë dëshmuar edhe ekspertë të gjeografisë, hartografisë, gjeodezisë dhe të drejtës ndërkombëtare në Republikën e Kosovës dhe në Republikën e Shqipërisë.  Por përkundër kësaj, Kosova rrezikon të humb pika strategjike ushtarake, si majat e vargmalit të Dukagjinit, burime jetike ujore, dhe trashëgimi natyrore të bjeshkëve të zonës”.

“Këtë, qeveritarët e Kosovës duan ta falin përkundër kundërshtimit masiv të sovranit – të qytetarëve të Kosovës. Një qeveri që nuk i merr parasysh mbi 205.000 nënshkrime, dhe nuk e respekton vullnetin qytetar kundër këtyre marrëveshjeve, është një qeveri anti-demokratike dhe si e tillë duhet të detyrohet të jap dorëheqje”, thuhet në kumtesën për media.

Sipas tyre, qytetarët e Kosovës me peticion dhe protesta kanë treguar që nuk janë të gatshëm t’i falin tokë askujt. Por kjo qeveri jo-demokratike ka vendosur ndryshe.