Libri i ri i sociologut Ibrahim Berisha, “Vdekja e Kolonisë”, vë në fokus situatën e Kosovës pas vitit 1912, kolonizimin e saj nga shteti serb dhe rrjedhimisht edhe situatën dhe të drejtat civile e politike të popullit shumicë, shqiptar.
Ky libër është zgjerim i literaturës për studimet koloniale duke futur përvojën Kosovë: Serbi-Jugosllavi, Shqiptaro-Serbe, e cila paraqitet shpeshherë e shtrembëruar dhe, ka dhe do të ketë, shumë për të thënë në mënyrë që në shekullin XXI të tejkalohet mendësia dhe komoditeti kolonial i kolonistëve serbë dhe i shtetit të Serbisë.
Libri ka në fokus mendësinë dhe praktikën koloniale të Serbisë në Kosovë gjatë shekullin XX. Politikat koloniale dhe krimet për territore dhe spastrime masive etnike në periudha krize a komode, shfrytëzimi, diskriminimi masiv sistemor dhe i strukturuar ndaj shqiptarëve të kolonizuar, prodhuan efekte të shumta sociale, politike, ekonomike, demografike, kulturore, arsimore etj., të cilat janë hulumtuar dhe analizuar në këtë studim multidisiplinar.
Kolonia Kosova në shek.XX, është matematikë e veçantë me shumë projekte dhe praktika, e një shteti në Evropë që do ta shtrijë sovranitetin në hapësirë të huaja pa zgjedhur mjete, duke ndërtuar një herësh sisteme propagande funksionale: paraqitje e krimit dhe dhunës shtetërore si mbrojtje dhe reagim të viktimës që ka Mision të Shenjtë në Portën ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit.
Politikat koloniale, bazuar në argumentime shumëburimore, janë potenciale të harmonizuara: Shtet, Kishë Ortodokse Serbe dhe institucione shkencore dhe kulturore. Autori thekson se shkrimi i librit është i motivuar edhe nga përvojat personale dhe kolektive e shqiptarëve, të cilët janë përballur me pasojat e këtij sistemi.
Është rezultat i një pune të gjatë 20 vjeçare, i konsultimit me burime përkatëse,veçmas me burime primare serbe dhe jugosllave që prodhuan dhe arsyetuan politikat koloniale. Janë shfrytëzuar burime arkivore, literaturë, dokumente, të dhëna statistikore, media, etj.
Praktika koloniale në Kosovë, përbën një përvojë specifike kolonializmi. Kolonializmi kryesisht shikohet si dominim i Botës së Tretë nga Bota e Parë, apo sundim i popujve “në stad më të lartë të civilizmit” dhe të zhvillimit ekonomik ndaj atyre më pak të civilizuar “barbarë” apo “të egër”.
Por për dallim nga praktikat koloniale në pjesët tjera të botës, në Kosovë përpos eksplaotimit ekonomik dhe shkatërrimit të vendbanimeve, planet shtetërore janë shumë më të gjera. Veçantia kryesore është plani për zhvendosjen totale të popullsisë me qëllim të ndryshimit demografik. Përpos shfrytëzimit ekonomik e material, plani kolonial serb ka synuar të ndryshojë historinë bashkë me të ardhmen.
Në anën tjetër pasojat e kësaj politike ishin të rënda. Se çfarë prodhoi kolonializmi në Kosovë, do referuar vetëm një fakti që gjendet në libër. Shkalla e zhvillimit ekonomik në Kosovë në vitin 1945 ishin të barabarta me atë në Mal të Zi dhe Maqedoni. Për shkak të politikave ekstreme koloniale edhe në Jugosllavinë Komuniste, që shikohet si “periudhë e barazisë së Kosovës me njësitë tjera federale”, në vitin 1988, zhvillimi ekonomik në Mal të Zi dhe Maqedoni ishte 3.6 herë më i lartë se në Kosovë.
Libri ka shkoqitur në shumë fusha pabarazinë dhe diskriminimin e shqiptarëve prodhuar nga trajtimi i Kosovës si koloni klasike e Serbisë dhe Jugosllavisë.
Libri vë në fokus situatën e Kosovës pas vitit 1912, kolonizimin e saj nga shteti serb dhe rrjedhimisht edhe situatën dhe të drejtat civile e politike të popullit shumicë, shqiptar.