Presidenti i Meksikës, Enrique Pena Nieto, u përball me kritika të shumta nga meksikanët, pas vendimit për ta pritur të mërkurën në takim, kandidatin republikan për president të SHBA’së, Donald Trump.
Trump gjatë fushatës së tij ka shfaqur gjuhë të urrejtjes ndaj meksikanëve, duke thënë se ata janë dhunues dhe kriminelë.
Vizitën e Trumpit e ka kundërshtuar ashpër ish-presidenti meksikan, Vicente Fox. “Ai nuk është i mirëseardhur”, është shprehur Fox.
Edhe ish-zonja e parë, Margarita Zavala, përmes një postimi në Twitter, i është drejtuar Trump me fjalët: “Edhe pse je i ftuar, ne duam të të njoftojmë se nuk je i mirëseardhur. Ne kemi dinjitet dhe e refuzojmë gjuhën tuaj të urrejtjes”, thuhet në postim, transmeton REL.
Të paktën dy protesta janë planifikuar në Mexico City dhe pranë zyrës së Nietos për të kundërshtuar ardhjen e Trump.