Aktuale

Mehmeti: Pa Maqedoninë shqiptare, s’do të ketë Maqedoni

Shkrimtari dhe publicisti Kim Mehmeti i ka komentuar zhvillimet e fundit sociale dhe politike në Maqedoni.

“Më pyesin shpesh pse kurrë personalisht nuk i kam përkrahur dhe pse, kurrë nuk do i mbështes protestat e opozitës maqedonase – të ashtuquajtura ‘laramane’ – të cilat sipas meje, kanë vetëm një veçori: tentojnë që me këngë e valle popullore, të rrëzojnë një strukturë kriminele pushtetmbajtëse, siç është regjimi VMRO-BDI?

Përgjigja është shumë e thjeshtë: plot 25 vite, unë dhe të tjerët (kush nuk beson, le t’i shfletojë shkrimet e viteve të shkuara) u themi elitave maqedonase, (ku bëjnë pjesë edhe shumë nga ‘kryelaramanët’ e sotëm) se Maqedoninë do e shkatërrojë shpirtngushtësia nacionaliste maqedonase, ndërkaq ata vazhdonin ta mbrojnë shtetin nga ‘rreziku’ i trilluar shqiptar, me të cilin ‘rrezik’ ata e mbulonin antishqiptarinë dhe hajdutërinë e tyre! Dhe tani, kur s’ka si të mbulohet e vërteta se Maqedoninë e plaçkitën dhe e rrënuan elitat politike maqedonase, të ndihmuara nga një grup vasalësh shqiptarë, e pranoj hapur se nuk dua t’i ndihmojë budallenjtë që u vetëdijesuan vetëm kur i panë rrënojat e shtëpisë së përbashkët, ata që kurrë nuk pranuan që bashkërisht ta ndërtojmë atë dhe të cilët, as sot nuk tregojnë si do duket Maqedonia shqiptaro-maqedonase e pasprotestave!

Andaj – pa i konsideruar me asgjë më pak patriot ata shqiptarë që marrin pjesë në protestat e ‘laramanëve’ – e them hapur: gërmadhat e Maqedonisë së rrënuar, le t’i pastrojnë ata që e shkatërruan atë dhe, pasi të jenë të gatshëm për ta filluar rindërtimin, le ta vijnë te ne shqiptarët, që bashkërisht ta verifikojmë projektin e saj! Më në fund, ne shqiptarët duhet të çlirohemi nga mendësia e inferiorit, mendësi që na bënë çdoherë të dëshmojmë shtetdashurinë dhe gatishmërinë për ta mbrojtur të përbashkëtën, por në ndërkohë, duke mos kërkuar nga elitat maqedonase, që edhe ato të vihen në mbrojtje të Maqedonisë shqiptare! Dhe për në fund, atë që duhej thënë në fillim: ka vite që ne shqiptarët e Maqedonisë jetojnë nga një ‘Sopot’ deri te një ‘Brodec’, nga likuidimi i Harun Aliut deri te ‘Monstra’, nga rrahjet e të rinjve tanë nëpër autobusë, deri te ndodhitë në ‘Lagjen e Trimave’, nga një “Enciklopedi Maqedonase’, deri te një projekt si “Shkupi 2014’…

Por as ky kalendar yni tragjik, nuk i bëri të ndjehen keq as pushtetarët e BDI-së dhe as protestuesit e sotëm ‘laramanë’, të cilët e kuptuan të vërtetën vetëm atëherë kur regjimi VMRO-BDI, edhe ata i plaçkiti dhe i rrahu si të ishin shqiptarë!

Dhe pse të protestoj me ata që brengë parësore kanë marrjen e pushtetin, por jo edhe hallin e shqiptarëve të këtushëm – marrjen dhe kontrollimin e shtetit që u është grabitur! Dhe sa për ata që thonë se në fillim duhet fituar beteja kundër së keqes më të madhe dhe të përbashkët – rrëzimin e regjimit kriminel VMRO-BDI, e pastaj të diskutohen të tjerat. Kam bindje të kundërt: e keqja më e madhe për shqiptarët e Maqedonisë nuk është mospasja pushtet dhe as keq qeverisja, por mospasje shtet të tyre dhe mosgatishmëria e palës maqedonase që të investojë edhe në ndërtimin e Maqedonisë shqiptare!“, shkruan Mehmeti në Facebook.