Kryeministri rus, Dmitry Medvedev, shprehu keqardhje që administrata në largim e Presidentit amerikan, Barack Obama, po e mbaron mandatin me “agoni anti-ruse”.
Medvedev e bëri njoftimin në Twitter, ndërsa mesazhin e ka përfunduar epitafin “R.I.P. (pusho në paqe)”, raporton agjencia e lajmeve Tass.
“Është shumë trishtuese që administrata Obama, e cila e ka filluar mandatin me përpjekjet për të ripërtërirë bashkëpunimin, e përfundon mandatin me agoni anti-rus. R.I.P.”, tha Medvedev në një Twit.

SHBA, si reagim për ndërhyrje të dyshuar në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, nga ana e Rusisë, kanë vendosur një seri sanksionesh të rrepta ndaj Moskës që përfshin dëbimin e 35 diplomatëve rusë dhe mbylljes së dy objekteve.
“Kam urdhëruar marrjen e disa veprimeve në përgjigje të kërcënimit agresiv të qeverisë ruse ndaj zyrtarëve amerikanë si dhe operacioneve kibernetike që kishin objektiv zgjedhjet amerikane”, tha presidenti amerikan, Barack Obama, raporton AFP.
Këto veprime, tha ai, nuk janë e gjithë përgjigja e Shteteve të Bashkuara ndaj aktiviteteve agresive të Rusisë , raporton Reuters.
“Ne do të vazhdojmë të ndërmarrim veprime të ndryshme në kohën dhe vendin që ne e zgjedhim, ndërsa disa prej tyre nuk do të publikohen”, shtoi ai.
Zyrtari amerikan, i cili dëshiroi të mbetej anonym, i tha agjencisë amerikane që diplomatëve rusë u janë dhënë 72 orë për t’u larguar nga Shtetet e Bashkuara./GazetaExpress/.