Biznismeni Florin Krasniqi i cili pas vitetve të 90-ta grumbulloi para për armatosjen e UÇK-së, po ndërton dy hidrocentrale në Gjuriq në komunën e Plavës. Por, kjo po kundërshtohet fuqishëm nga popullata lokale, shkruan ‘Vijesti’ e Podgoricës.
Peticioni kundër ndërtimit të këtyre hidrocentraleve është duke u zhvilluar pasi ata besojnë se mund të rrezikohet furnizimi me ujë të pijshëm, transmeton lajmi.net.
Krasniqi është një ish-deputet i Lëvizjes Vetëvendosje për të cilin gazeta thotë se është pronar i kompanisë ‘Plava Hydro Power’ nga Ulqini ku kjo e fundit ka dorëzuar elaboratet për ndërtimin e dy hidrocentraleve të vogla.
Deri më tani, 651 qytetarë të komunës së Plavës kanë nënshkruar peticionin i cili kërkon të ndalojë iniciativën, por autoritetet komunale po e mohojnë këtë kërkesë.
Pas iniciativës së parë, Kuvendi komunal me shumicë votash e miratoi vendimin me të cilin mundësohet procedura për marrjen e lejes, pasi kundërshtarët e ndërtimit formuan këshill nismëtar me në krye këshilltarin e Alternativës Shqiptare, Iber Hotin.
Gazeta thotë se Krasniqi u bë i famshëm në vitin 2005 kur u realizua një dokumentar lidhur me ‘Triangle General Contractors’, kompani mbulimesh në Brooklyn të Nju Jorkut, e cila lidhet me metodën e mbledhjes së parave me të cilat është financuar UÇK-ja gjatë luftës në Kosovë./Lajmi.net/