Aktuale

Mediat e huaja: Shtetet e fuqishme nuk i formojnë Qeveri Kosovës, s’i pajtojnë VV’në e LDK’në

Kosova ka qenë në fokus të mediave të huaja sa i përket zgjedhjeve të 6 tetorit dhe vonesave për formimin e Qeverisë, nga dy partitë që dolën të parat VV e LDK. Ndërkaq gazetat e njohura kanë cituar edhe deklaratën e shteteve të QUINT’it, se nuk do t’I pajtojnë këto dy parti për koalicion.

Mediumet e njohura si The New York Times dhe Daily Mail kanë raportuar rreth vështirësive të partive fituese në Kosovë për të formuar Qeverinë.

Ato kanë cituar deklaratën e përbashkët të djeshme të vendeve të QUINT’it, ku u tha se nuk do t’i krijojnë Kosovës Qeverinë, e as të pajtojnë parti të caktuara politike.

“Ne përfaqësojmë shtetet që janë thellësisht të përkushtuara ndaj Kosovës demokratike dhe të pavarur. Çdo sygjerim se qeveritë tona përkrahin ndonjë parti apo kandidat të veçantë në zgjedhje është i pasaktë… përgjegjësia për të ardhmen e Kosovës, për udhëheqësit e Kosovës, dhe për vetë Kosovën, është vetëm e juaja, e popullit të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Tutje, shkruan se këto shtete do të jenë vetëm inkurajues që të gjithë politikanët të përqëndrohen në aspiratat e popullit të Kosovës.

“Ne nuk do të ndërmjetësojmë. Ne i inkurajojmë të gjithë aktorët politikë në Kosovë që të përqëndrohen në aspiratat e popullit të Kosovës”, shkruan tutje.

Kujtojmë se LDK dhe VV në pamundësi për t’u marrë vet vesh rreth koalicionit qeverisës, kanë bërë  thirrje që në bisedime  t’u bashkangjiten edhe shtetet e QUINT’it.

Ndonëse në takimin e mbrëmshëm morën pjesë disa prej tyre, sërish nuk pati rezultate pasi dy partitë në fjalë edhe një herë nuk u pajtuan për ndarjen e posteve qeverisëse.


the authorGazetaKNN