Me qen të shumtë endacakë janë të mbushura rrugët e kryeqytetit, madje numër i madh i qenve po defilojnë edhe nëpër sheshet e Prishtinës. Qytetarët shpeshherë janë ankuar se po ndjehen të rrezikuar, sidomos kur po rastis të dalin me fëmijë të vegjël nëpër qytet.
Në shumë raste qytetarët kanë pësuar lëndime nga kafshimet e qenve endacakë që kanë ndodhur gjithandej vendit, madje ka pasur raste kur disa fëmijë edhe kanë humbur jetën si pasojë e kafshimit nga qentë.
Kështu qentë endacakë kanë qenë e janë kërcënim për qytetarët që jetojnë në kryeqytet.
Qentë shumicën e kohës gjenden pranë kontejnerëve, në qendër, apo edhe hyrjeve të ndërtesave banuese, duke kërkuar ujë, ushqim dhe strehim.
E në mungesë të ushqimit, ata shpesh dinë të bëhen agresivë ndaj qytetarëve.
Duhet thënë se numri i madh i qenve endacakë në rrugët e qyteteve e fshatrave të Kosovës shumë herë ka paraqitur problem për qytetarët, pasi në mjaft raste ka pasur persona që kanë përfunduar të kafshuar nga qentë, e në disa raste edhe kanë humbur jetën.
Kujtojmë se gjatë këtij viti janë shënuar disa raste të kafshimit nga qen endacakë, kurse një fëmijë vetëm 8 vjeç nga Vushtrria mbeti i lënduar rëndë për shkak të kafshimit nga qentë.
E raste të tilla kanë ndodhur herë pas here gjithandej Kosovës. Madje disa vite më parë një fëmijë 7 vjeç pati vdekur nga kafshimi i qenve endacakë.
Ndërkaq, pas gjithë këtyre ndodhive dhe thirrjes nga qytetarët e organizatat joqeveritare, tashmë duket se do të bëhet një zgjidhje lidhur me rrezikun që paraqesin qentë endacakë.
Tek tani Komuna e Prishtinës ka menduar të bëjë zgjidhje për këtë çështje.
Komuna ka planifikuar të ndërtojë strehimore për qentë endacakë, ku do të behët trajtimi i tyre.
Për ndërtimin e kësaj strehimore, Komuna e Prishtinës, tashmë ka hapur edhe tenderin.
Ndërtimi i strehimores në Hajvali, po parashihet të kushtojë 150 mijë euro. Tenderi do të jetë i hapur deri më 29 nëntor dhe gjithë kompanitë e interesuara mund të aplikojnë të bëjnë ndërtimin./FaktePlus

