Aktuale

Më në fund bëhet i gjallë Shpend Ahmeti, deklarohet në Facebook për bërllogun në Prishtinë

Bllokimi i xhirollogarive bankare të Kompanisë Rajonale për Mbeturina “Pastrimi” ka bërë që brenda një dite Prishtinën ta mbulojë bërgllogu.

Për gjithë këtë Komuna e Prishtinës po kërkon nga Qeveria e Kosovës dhe kompania e deponisë në Mirash që të bëjnë zhbllokimin e llogarive bankare.

Rreth kësaj ka reaguar më në fund edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti i cili përmes një statusi në Facebook ka thënë qytetarët nuk mund të paguajnë në këtë mënyrë për keqmenaxhimin e Kompanisë “Pastrimi” që ka bërë për shumë vite.

Derisa ka treguar se si është krijuar kjo situatë, Ahmeti mes tjerash po shpreson se gjithë kjo nuk po bëhet për arsye politike.

Postimi i plotë i Ahmetit:

Kompania Pastrimi është kompani regjionale që bën mbledhjen e mbeturinave për disa komuna në regjionin e Prishtinës. Mbeturinat e Pastrimit dërgohen në Deponinë në Mirash e cila menaxhohet nga niveli qendror, pra nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Për largimin e mbeturinave në deponi Pastrimi i paguan para deponisë. Para vitit 2012 Pastrimi nuk i ka paguar me rregull dhe ka kriju borxh prej mbi 1 milion euro.

Për çudi, tani Deponia (kompani e qeverisë) e ka dërgu Pastrimin (kompani regjionale) në përmbarim dhe ia ka blloku llogaritë bankare me që rast e ka lënë kompaninë edhe pa naftë. Po ashtu ka tërhjekë nje shumë të konsiderueshme të mjeteve. Për këtë arsye është rrezikuar mbledhja e mbeturinave në krejt komunat në regjionin e Prishtinës.

Kërkojmë nga qeveria dhe kompania e deponisë në Mirash që të bëhet zhbllokimi i llogarive sa më parë në mënyrë që mos të rrezikohet shëndeti i qytetarëve. Nuk ka kuptim që një kompani publike të rrezikojë shëndetin e qindra mija qytetarëve. Po ashtu nuk ka kuptim që qytetarët në këtë mënyrë të paguajnë për keqmenaxhimin e kompanisë Pastrimi për shumë vite.

Shpresojmë se kjo nuk po bëhet për arsye politike.

Komuna e Prishtinës në mënyrë emergjente do të huazojë naftë për kompaninë por kjo situatë është e paqëndrueshme.