Rajon & Botë

McCain: Nuk ka paqe në Afganistan pa përfshirjen e Pakistanit

Senatori i Shteteve të Bashkuara, John McCain, ka thënë se paqja në Afganistan dhe në vendet tjera të rajonit nuk është e mundur pa përfshirjen e Pakistanit.

Ish-kandidati për president, McCain, gjatë një vizite në Islamabad, ka thënë se “ne nuk do të kemi paqe në rajon pa Pakistanin”.

“Marrëdhëniet tona janë më të rëndësishme se kurrë më parë”, ka shtuar McCain pasi ka përfunduar takimin me zyrtarin e lartë pakistanez për politikë të jashtme, Sartaj Aziz, dhe shefin e ushtrisë, gjeneralin Javed Bajwa.

Aziz ka thënë se partneriteti strategjik në mes të Pakistanit dhe SHBA-së, ka qenë “kritik drejt arritjes së paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë”.

Kritikët amerikanë ka thënë se Islamabadi nuk është duke punuar në shpërbërjen e rrjeteve të grupeve ekstremiste.

Sipas tyre, krijimi i zonave të sigurta në Pakistan ka lejuar ekstremistët e lidhur me talibanët të planifikojnë sulme në Afganistan dhe të kthehen prapë në këto zona të sigurta.