Aktuale

McCain dekorohet me medalje nga presidenti i Kosovës

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka dekoruar me medaljen “Urdhri i Lirisë” senatorin amerikan John McCain, për kontributin e tij dhënë për çlirimin e Kosovës. Kreu i shtetit vlerësoi lart punën e senatorin amerikan në kohën kur Kosova po përjetonte tmerrin nga gjenocidi serb.

Ndërsa, McCain, shprehu falënderimin e tij për Kosovën dhe popullin e saj për këtë çmim të ndarë nga presidenti Thaçi.Presidenti Hashim Thaçi, theksoi se ndihet i nderuar dhe privilegjuar që në emër të qytetarëve të Kosovës t’ia ndajë “Urdhrin e Lirisë”, senatorit McCain.

“Në botë ka pak njerëz që mishërojnë vlerat e lirisë. E tërë jeta e juaj është një monument i gjallë i përpjekjeve për liri deri në vetëmohim. Në ditët tona me të vështira si komb ne gjetëm shëmbëlltyrën tej ju. Ju u bëtë zëri ynë kur ne nuk kishim zë. Ju me punën dhe angazhimin tuaj për çlirimin e Kosovës dëshmuat se liria nuk privilegj e të fortit, por e drejt fundamentale për secilin njeri, për secilin komb”, tha Thaçi.

Ndërsa, senatori amerikan John McCain u shpreh i nderuar dhe krenar që po merr një çmim kaq të lartë nga presidenti Thaçi në emër të popullit të Kosovës. Derisa, shprehu krenarinë e tij që pas shumë vitesh nga konflikti dhe tragjedia e luftës, gjendet në Kosovë, duke premtuar se do të bëjë gjithçka që të sigurojë mbështetjen amerikane edhe më tutje.

“Të gjithë ne e dimë se ka shumë milje (rrugë) për t’u bërë dhe progres për t’u arritur por kur shikon progresin që është bërë si demokracia funksionale, legjislacioni, zgjedhje të drejta dhe të lira, mendoj se populli i Kosovës duhet të jetë shumë krenar. Kemi kaluar një rrugë të gjatë me sakrificë dhe unë kam për qëllim që të bëjë gjithçka që mundem që të vazhdojë të siguroj mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe popujve tjerë por veçanërisht atë të Shteteve të Bashkuara për të siguruar së Kosova vazhdon të jetë e lirë, demokratike dhe e bukur si është sot”, theksoi McCain.

Seantori amerikan John McCain, po qëndron për një vizitë zyrtare në Kosovë, derisa dje iu drejtua deputetëve të Kosovës./KosovaPress/