Aktuale

Mbretëria e Suedisë ndihmoi FSK-në për kërkim-shpëtim

Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, ka pritur sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Suedisë, Henrik Nilsson, të cilët ranë dakord që të konkretizohet ideja për zyrtarizimin e marrëdhënieve me një marrëveshje dypalëshe e cila do të përcillej në vazhdimësi me planin e sinkronizuar të aktiviteteve të përbashkëta në të ardhmen ndërmjet dy dy forcave përkatëse.

Sipas MFSK-së, në takim u bisedua për marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë, me theks te veçantë për bashkëpunimin e mirë ndërmjet Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Suedisë.

Gjithashtu, në takim u bisedua edhe për ndihmën dhe mbështetjen që ka dhënë dhe  po vazhdon të japë Mbretëria e Suedisë që nga kontributi i saj për sigurinë dhe paqen në Kosovë, pastaj ndihmën dhe mbështetjen e pakursyer në drejtim të ngritjes, zhvillimit dhe fuqizimit të institucioneve të shtetit.

“Ministri Demolli dhe ambasadori Nilsson biseduan edhe për bashkëpunimin e mirë ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Forcave të Armatosura të Suedisë. Njëherësh, ministri Demolli e falënderoi ambasadorin suedez edhe për mbështetjen e pakursyer të Mbretërisë  së tij gjatë ngritjes dhe konsolidimit të Qendrës së Trajnimit të FSK-së për Kërkim Shpëtim, ku një kontribut të çmuar kanë dhënë ekspertët e saj të fushës së kërkim-shpëtimit, si dhe ekspertët – këshilltarë në kuadër të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s për Ministrinë dhe FSK-në. Ministri Demolli dhe ambasadori Nilsson, gjithashtu, ranë dakord që të konkretizohet ideja për zyrtarizimin e marrëdhënieve me një marrëveshje dypalëshe  e cila do të përcillej në vazhdimësi me planin e sinkronizuar të aktiviteteve të përbashkëta në të ardhmen ndërmjet dy ministrive dhe dy forcave përkatëse”, thuhet në komunikatën e MFSK-së./KosovaPress/