Aktuale

Mblidhet Kryesia e Kuvendit

Kryesia e Kuvendit të Kosovës mblidhet sot në ora 14:00, me kërkesë të Grupit Parlamentarë të PDK-së, të cilët kanë kërkuar që në një seancë të veçantë të Kuvendit, të diskutohet për rastin e dënimit të dhënë për “Grupin e Drenicës”.

Për KosovaPress, Zenun Pajaziti, shef i GP të PDK-së, ka konfirmuar se Kryesia do të mblidhet pas pak minutash nga ku edhe pritet të votohet për mbajtjen e një seance të re që kryefjalë ka dënimet e kësaj javë të shqiptuara nga Gjykata e Apelit për  ‘Grupin e Drenicës’. Pajaziti tha se ende nuk e dinë nëse séance për rastin e përmendur do të mbahet si e veçantë sot, apo të hyjë në agjendë për seancën e nesërme.

Nga ana tjetër, deri tash është e konfirmuar renditja e pikave për seancën e nesërme të Kuvendit, në këtë përbërje:

R e n d i  i   d i t ë s

1. Koha për deklarime jashtë rendit të ditës,

2. Koha për pyetje parlamentare,

3. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,

4. Propozim-Deklarata e Kuvendit të Republikës së Kosovës adresuar Unionit Europian për liberalizimin e vizave,

5. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.05/L-118 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-139 për procedurën përmbarimore,

6. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 05/L-119 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-043 për faljen e borxheve publike,

7. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 05/L-110 për kamatë-vonesat në transaksionet tregtare,

8. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 05/L-024 për Shërbimin Mjekësor Emergjent,

9. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 05/L-066 për profesionet e rregulluara në Republikën e Kosovës,

10. Emrimi i anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave,

11. Zgjedhja e 1 (një) anëtari të Këshillit Prokurorial të Kosovës (votim i fshehtë),

12. Zgjedhja e kryesuesit të Komisionit Shqyrtues në Autoritetin Rregullator për Shërbimet e Ujit (votim i fshehtë),

13. Zgjedhja e zëvendësdrejtorit të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit (votim i fshehtë),

14. Zgjedhja e 1 (një) anëtari të Bordit të Komisionit të Pavarur për Medie (votim i fshehtë),

15. Formimi i Komisionit ad hoc për përzgjedhjen e 1 (një) anëtari në Bordin e Ankesave të Komisionit të Pavarur për Medie,

16. Formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar, sipas kërkesës së deputetes Shqipe Pantina, mbështetur edhe nga 8 (tetë) deputetë të tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes “Vetëvendosje” lidhur me Radiotelevizionin e Kosovës,

17. Debati parlamentar sipas kërkesës së deputetes Margarita Kadriut-Ukelli, mbështetur edhe nga 9 (nëntë) deputet tjerë nënshkrues lidhur me detyrimet e mundëshme financiare të Kosovës për pretendimet e kompanive që kanë ushtruar padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.