Për të parën herë në Kosovë është lansuar raporti “Gjendja e Popullsisë Botërore 2016”, e quajtur “Mosha e vajzave 10 vjeçe”. Ky titull iu la me të vetëm arsyeje se vajzat e kësaj moshe janë në gjendje më kritike dhe iu duhet përkrahja familjare, shoqërore e institucionale .
Në lansimin e këtij raporti shkollimi i vajzave të kësaj moshe në Kosovë qëndron më mirë se në vendet tjera të botës, por shqetësim kryesor ishte se vajzat e kësaj moshe janë të shfaqura ndaj rreziqeve të ndryshme.
Imazh i këtij raporti u bë nga Blerina Krasniqi nga Grashtica, një vajzë me nevoja të veçanta, ku përmes një video të shkurtër u tregua një ditë e jetës së Blerinës.
Udhëheqësja e programit të UNFPA në Kosovë, Visare Mujko-Limani, ka treguar se mosha 10 vjeçe është mosha kur hyhet në udhëkryqet jetësore, e që për këtë duhet që më shumë të punohet me vajzat, e sidomos në fushën e shëndetit seksual e riprodhues.
“E dimë që në këtë moshë fillon hyrja në pubertet dhe po ashtu hyhet në një udhëkryq jetësor gjithnjë duke përfshirë edhe vajzat 10 vjeçare. Është shumë me rëndësi të punohet me këto vajza, me dhënë informata sidomos në fushën e shëndetit seksual dhe riprodhues që në jetën e tyre të ardhshme të mos ndodhin gabime të cilat mund të ju kushtojnë me jetë, e me ia ndërrua tërësisht kahen e jetës së tyre. Për fat të keq në botë këto vajza kur hyn në këtë moshë nuk i pret shkollimi, por prindërit e tyre, rrethi i tyre se si me i martua, e që e kemi edhe ne këtë situatë, sidomos me komunitetin romë, ashkali dhe egjiptian”, tha ajo.
Në raport thuhet se gjendja e popullsisë botërore për 2016-ën, tregon se ardhmja jonë e përbashkët varet se si i mbështesim 60 milionë vajza 10-vjeçare në botë. Po ashtu në këtë raport është thënë se investimi për këtë moshë, mund të prodhojë përfitime të mëdha demografike dhe të rrisë ekonominë e vendeve në afate të gjata kohore.
Edhe pse krahasuar me vendet tjera të botës Kosova qëndron më mirë në vijimin e shkollimit të këtyre vajzave, Mujko-Limani ka theksuar se ka diskriminime tjera për këto vajza, si në kuptimin e punësimit, marrjes së pozitave vendimmarrëse, por edhe diskriminim gjinor në trashëgimi.
“Mund të them se në regjionin tonë, për fat mirë, vijimi i shkollimit të vajzave është shumë më i mirë se sa në pjesën tjetër të botës. Por kemi diskriminime tjera në kuptimin e punësimit, marrjes së pozitave vendimmarrëse, në diskriminime gjinore në kuptimin e trashëgimisë dhe diskriminime tjera. Zakonisht djemtë kanë qasje në të gjitha shërbimet, mundësitë edhe të ndihmave ndërkombëtare kurse vajzat nuk kanë mundësi në krahasim me vajzat e shteteve të tjera. Ky kapitull në raport flet edhe në atë se investimet në shëndetësi dhe në arsimim të këtyre vajzave, 10 vjeçare, do ta stimuloj ngritjen ekonomike dhe mirëqenien e kombit”, tha ajo.
Drejtori i UNFPA, Andre Russelll, tha se është e rëndësishme se çfarë ndodh me fëmijët, duke theksuar që mosha 10 vjeçare është shumë kritike sidomos për vajzat.
“Është shumë e rëndësishme se çka ndodh sot me fëmijët tanë. Mosha 10 vjeçe është shumë kritike, unë e mbaj mend këtë periudhë të fëmijëve të mi, besoj që shumë nga ju keni pasur fëmijë 10 vjeç apo do të keni në të ardhmen. Është një moshë shumë kritike…pa dyshim që kjo është një fazë shumë kritike për vajzat e reja që të mësojnë më tepër për trupin e tyre, dhe të fillojnë të mësojnë dhe të kuptojnë, të përgatiten për këtë periudhë shumë të vështirë që kanë përpara. Dhe përfundimisht do dëgjoni për numrin 8, që është punësimi. Fillimisht të gjitha këto gjëra që u ndodhin grave të reja janë shumë kritike, 50% e popullsisë, si këtu në Kosovë ashtu edhe në shumë vende të tjera,tek gratë nuk kanë mundësi të kontribuojnë në mënyrë të barabartë. 50% e udhëheqësve nuk janë gra, 50% e zhvillimit ekonomik, e pronarëve të pronave , etj, nuk janë gra”, tha Russell.
Folësit nga institucionet e shtetit, por jo edhe nga ministritë dhe Qeveria, shprehen shqetësimin për këto vajza të reja që po iu ekspozohen faktorëve shumë negativ në vend, e që shkaktar i tyre u tha të jenë edhe të ardhurat jo të mira ekonomike. Jo arsye ka bërë që shumë vajza të detyrohen që edhe të kërkojnë lëmoshë në rrugë, me çka edhe shumë lehtë mund të bien pre e prostitucionit.
Si problem me rëndësi u tha të jetë edhe financimi për fëmijët në nevojë, e për të cilën shqetësim paraqiti edhe drejtori i HANDIKOS, Afrim Maliqi.
Maliqi tha se për fëmijët me nevoja të veçanta po jepen vetëm 100 euro, me të cilat para duhet të kryhen gjitha shërbimet të nevojshme për ta.
“4 mijë fëmijë me aftësi të kufizuara marrin një mbështetje financiare prej shtetit prej 100 euro e me këto duhet të kryejnë të gjitha shërbimet, medikamentet, transportin, rehabilitimin, shkollimin, e gjitha me vetëm 100 euro. Kërkojmë nga shteti, nga institucionet, që të mbështesim këtë kategori në mënyrë që të sjellim pajisje tjera…dhe kjo kurrsesi nuk po mund të arrihet”, tha Maliqi.
Në fund të këtij raporti udhëheqës të projektit, por edhe përfaqësues të institucioneve, u shprehen gati njëzëri për nevojën urgjente që të sigurohet që zëri i këtyre vajzave të këtyre grupmoshave të dëgjohet, duke bërë që atyre t’iu sigurohet arsimimi, edukimi shëndetësor dhe ai seksual. /KP