Gjykata e Apelit e Kosovës ka lënë në fuqi aktakuzën kundër katër të akuzuarve për terrorizëm pasi ka refuzuar si të pa bazuara ankesat e avokatëve mbrojtës kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për kundërshtim të provave dhe hedhje të aktakuzës.
Ishin tre të akuzuar me iniciale A.A., F.K., dhe E.H., të cilat ishin ankuar kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 14 prill të këtij viti për kundërshtim të provave dhe hedhje të aktakuzës, ndërsa si duket personi i katërt nuk është ankuar ndaj këtij vendimi për veprën penale “kryerje e veprës penale terroriste”.
Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, pretendimet ankimore nuk janë të bazuara ngase gjykata e shkallës së parë, në mënyrë të drejtë ka dhënë arsye, se aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë, se të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilën ngarkohen, ndërsa tani nuk ka argumente bindëse dhe që nuk përmbajnë asnjërën prej bazave ligjore për të cilën mund të hedhet aktakuza.