Ministria e Tregtisë dhe Industrisë organizoi ceremoninë e prezantimit “Ye!Boost Startup Pitch Event”, në Qendrën e Inovacionit në Kosovë(ICK).
Në këtë event tetë ndërmarrës të rinj kosovarë kanë prezantuar biznes planin e tyre.
Boost startup, ofron shpejtim të trajnimeve dhe mundësive ndërlidhëse për 20 Startup-e të fazës së hershme në Kosovë. Boost Camp është aktiviteti kryesor i Ye!Boost Program, një program për rritjen e kapaciteteve të ndërmarrësisë, me qëllim përkrahjen e ndërmarrësve të ri kosovarë.
Kryeshefi ekzekutiv i KIESA, Besian Mustafa tha se qëllimi është që të mbështetën të rinjtë që të kenë ide për biznes plane, mandej, këto të shndërrohen në kompani dhe biznese serioze.
“Përkrahim zhvillimin e sektorit privat përmes zhvillimit të ndërmarrësve të rinj ose të asaj që ne e quajmë startup. Ideja e gjithë kësaj është që fillimisht të bëhet një para selektim i disa ideve të biznes planeve, të cilat pastaj tetë prej tyre… do të mundohen të na bindin që janë idetë më të mira ose me potencialin më të madh për t’u zhvilluar dhe për t’u shndërruar në kompani”, tha Mustafa.
Ai tha se përfituesit e kësaj iniciative marrin mbështetja financiare, work shop, trajnime dhe të tjera.
Edhe Venera Hoxa nga Fondi Evropian për Zhvillimin e Evropës Juglindore, tha se fokusi i EFSE është mbështetja e këtij programi për rritjen e numrit të të punësuarve dhe rritjen e investimeve në Kosovë.
“Iniciativa dhe ceremonia e sotme vije si rritje e fokusit të EFSE në rritjen e punësimit të të rinjve dhe në nxitjen e të bërit biznes. Ceremonia e sotme është ngjarja më e rëndësishme e këtij programi dhe sjell disa projekte dhe ideja inovative e të rinjve të cilët do të kenë mundësi, jo vetëm të tregojnë se sa ka Kosova potencial dhe sa kanë ide të rinjtë”, tha Hoxha.
Ajo tha se misioni EFSE nuk ka qëllim vetëm financimin e partnerëve të bankave dhe institucioneve mikrofinanciare, por si synim kryesor i EFSE është të zhvillojë kapacitetet jo vetëm të partnerëve, por të të gjithë bashkëpunëtorëve në treg./KP