Aktuale

BE mbështet me projekt Shërbimin Korrektues në Kosovë

Qendrat e paraburgimit në Evropë dhe në Kosovë përballen me sfida të ndryshme siç janë mbipopullimi,dhuna dhe radikalizmi.

Kështu ka vlerësuar shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë Nataliya Apostolova, me rastin e lansimit të projektit të Bashkimit Evropian në Kosovë “Further Strengthening the Correctional and Probation Services in Kosovo”, (Fuqizimi i mëtutjeshëm i Shërbimit Korrektues).

Me këtë rast, Apostolova ka theksuar se ky projekt i financuar nga Finlanda do të ndihmojë në tejkalimin e sfidave me të cilat përballen qendrat e shërbimeve korrektuese në Kosovë.

Sipas saj, projekti prej 2 milionë euro do të ngrisë sigurinë në Kosovë dhe se do të ndihmojë në realizimin e objektivave të përbashkëta të Finlandës dhe Kosovës, ndërsa ka përmendur edhe investimin prej 3 milionë eurove për Qendrën Korrektuese për të Mitur për të cilën ka thënë se do të sigurojë risocializimin e tyre në shoqëri.

“Qendrat e paraburgimit në Evropë dhe në Kosovë përballen me sfida të ndryshme siç janë mbipopullimi,dhuna dhe radikalizmi. Unë besoj shumë se ky projekt do të shërbejë si forum në shkëmbimin e përvojës dhe për transferimin e praktikave më të mira në mënyrë që t’i tejkalojmë këto sfida… Një tjetër aspekt që dua të nënvizoj është numri i të burgosurve të radikalizuar. Ky rrezik nga ata duhet të evitohet kur ata të lirohen dhe këto aspekte janë të përfshira në projekt përmes implementimit të aktiviteteve të ndryshme”, theksoi Apostolova.

Shefi i diplomacisë së Finlandës, Timo Soini, ka vlerësuar projektin ndërsa ka thënë se do të vazhdojnë të ndihmojnë Kosovën në rrugën e sundimit të ligjit. Ai ka thënë se Kosova dhe Finlanda kanë marrëdhënie të mira ku ka përmendur takimin me presidentin Thaçi gjatë ndeshjes së futbollit vitin e kaluar mes përfaqësueses së Kosovës dhe shtetit të tij.

“Le të jetë ky projekt edhe një shembull tjetër i bashkëpunimit të afërt dhe të frytshëm midis Kosovës dhe Finlandës. Le të jetë suksesi dhe vullneti i mirë me ju dhe shpresoj se ju do të siguroheni që do të jeni bosht i bashkëpunimit mes dy vendeve tona”, u shpreh Soini.

Ndërkaq, ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, ka thënë se ndjehet jashtëzakonisht mirë që ka filluar punën e tij me një projekt kaq të rëndësishëm, përderisa ka falënderuar BE-në për mbështetjen financiare dhe profesionale në projektin e binjakëzimit, dhe në të gjitha fushat që kanë mbështetur Kosovën, posaçërisht Finlanda.

Sipas tij, fuqizimi dhe sundimi i ligjit është parakusht për integrimin e Kosovës në BE dhe NATO dhe për këtë Tahiri ka shtuar se reformimi dhe profesionalizmi i qendrave korrektuese do të jenë prioritet i qeverisjes së tij.

“Ju siguroj se gjatë këtij mandati, shërbimi korrektues dhe ai sprovues nuk do të jenë pasqyrë e asnjë keqpërdorimi dhe se punën në këtë drejtim do ta udhëheq i mbështetur në dy parime. E para, dinjiteti dhe të drejtat e personave në vuajtje të dënimit, do të respektohen sipas ligjeve, normave dhe konventave kombëtare, dhe e dyta përgjegjësia dhe disiplina nuk do të kenë kompromis për asgjë dhe për askënd… Jam i sigurt se zbatimi i suksesshëm i komponentëve të cilat i parasheh projekti do të përmirësoj dukshëm shërbimin në këtë institucion duke i përafruar ato me standardet evropiane”, tha Tahiri.

Edhe ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Anne Huhtamaki ka thënë se Finlanda do të vazhdojë të mbështet fuqizimin e ligjit në Kosovë.

Ndryshe, ky projekt i cili kap vlerën rreth 2 milionë euro do të zgjasë 30 muaj dhe ka për qëllim përmirësimin dhe fuqizimin e mëtutjeshëm të shërbimit korrektues dhe sprovues të Kosovës. /KosovaPress