Aktuale

Mbahet gara me produkte të ricikluara

Organizuar nga Këshilli Rinor i Ambasadës Amerikane të shtunën në sheshin e Prishtinës është mbajtur një garë në të cilën nxënësit nga shkollat e kryeqytetit kanë prezantuar nga një vepër arti me materiale të ricikluara.

Nxënësit e shkollave të Prishtinës në garën e sotme kanë shprehur idetë e tyre duke realizuar punime të ndryshe me domethënie të veçantë për mbrojtjen e ambientit.

Ata me këtë rast përçuan mesazhin se mbeturinat, si letra, plastika, metalet të mos hedhen në tokë, por të shfrytëzohen në ide me kreativitete të ndryshme.

Kryetarja e Këshillit Rinor të Ambasadës Amerikane, Diellza Malazogu ,theksoi që është shumë  e rëndësishme që të ngritet vetëdija se sa e rëndësishme është riciklimi i letrës dhe një ambient i pastër.

“Meqë Këshilli Rinor I Ambasadës Amerikane gjatë tre viteve të ekzistencën ka pas çdo herë target të rinjtë e Kosovës dhe fuqizimin e të rinjve  me projektin kundër hedhjes së mbeturinave, kemi menduar që t’i qasemi problemit të ndotjes së ambientit dhe hedhjes së mbeturinave dhe për këtë arsye kemi kontaktuar me 15 shkolla të Prishtinës për të bërë një punim me anë të letrave ricikluese”, tha ajo.

Nxënësi i shkollës “Isamil Qemaili”, Granit Curri, i cili mori pjesë në këtë garë, ka vlerësuar shumë të rëndësishëm këtë aktivitet.

 

“Së pari, kemi pas vullnetin për të krijuar fustanin, pastaj na ka ndihmuar edhe drejtoria e shkollës të cilës i jemi shumë mirënjohës. Falënderoj drejtoreshën e shkollës Hatmone Demiri e cila na ka ndihmuar financuar dhe mbështetur, dhe na ka dhënë mundësinë për të krijuar këtë fustan” ,tha ai.

Arsimtarja e shkollës “Ismail Qemajli”, Lule Hyseni, e vlerësoi punën që kanë bërë nxënësit e saj edhe pse koha, siç u shpreh ajo, nuk ka qenë e mjaftueshme. Ajo tha se nxënësit janë të gatshëm për punë kreative, duke përçuar mesazhin për ruajtjen e ambientit.

“Kam kënaqësinë të marr pjesë në këtë garë dhe është shumë me vend të bëhet për riciklim, nxënësit gjithmonë janë të gatshëm për punën kreative,” tha ajo.

Ndërsa, arsimtarja Luljeta Muqaj nga shkolla “Naim Frashri”, theksoi që ishin gjithsej 12 nxënës, të cilët për tri ditë radhazi i kanë punuar punimet.

 

“Shpresoj që është punim i qëlluar. Kemi pas të garojmë me 15 shkolla të Prishtinës me letër ricikluese për të punuar. Diku 2 muaj ka zgjatur mbledhja e letrës, përafërsisht kanë punuar 3 ditë nxënësit tanë për të përfunduar punimin për të  garuar sot me shkollat tjera,” tha ajo.

Ndryshe, ishte e paraparë që të jenë 15 shkolla prezentë, mirëpo prej tyre vetëm 10 shkolla kanë arritur që t’i përfundojnë punimet e tyre në këtë garë. Pjesëmarrëse ishin shkollat “Arsim Vokshi” , “Ismail Qemali”, “Zenel Hajdini” , “Model” , “Hasan Prishtina” , “Dardania”, “Naim Frashri” , “Gjergj Fishta” , “7 Marsi” dhe shkolla “Iliria”, si dhe janë votuar të gjitha punimet ku njëra shkollë është vlerësuar me punimin më të mirë./KP