Sport

Mavraj flet për herë të parë si futbollist i Hamburgut (Foto)

Mërgim Mavraj foli për herë të parë si lojtar i Hamburgut. Mbrojtësi i kombëtares u shpreh i lumtur që do të luajë në një ekip të rëndësishëm, edhe pse rrezikon të bjerë nga kategoria.

Tashmë e ka nisur karrierën e re. Mërgim Mavraj filloi stërvitjen me Hamburgun, menjëherë pas përfundimit të atyre pak ditëve pushim në fund të vitit.

Mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare, që shkëlqeu gjatë vitit 2016 me Këlnin, mori vendimin disi të papritur për të shkuar tek një skuadër me emër të madh, por me renditje të keqe në Bundesligë.

Çfarë mendoi shqiptari 30-vjeçar nga Kosova?

“Fakti ishte që unë do të isha i papunë në verë, ndaj duhet të mendohesha dhe të gjeja një zgjidhje për karrierën time. E di se Hamburgu rrezikon dhe se nuk është aspak gjë e këndshme të biesh nga kategoria, por gjithsesi më mirë të luaj futboll sesa të ngrohem në diell. Hamburgu është një sfidë e madhe dhe tërheqëse”.

Gjithsesi, pati një faktor tjetër që doli vendimtar për Mavrajn.

“Vendimtare për mua ishte besimi që klubi tregoi ndaj meje, dhe rolit që unë duhet të luaj në ekip. Për një lojtar është gjithmonë e rëndësishme të jetë i rëndësishëm dhe të gëzojë besimin e klubit. Trajneri Gisdol ndikoi shumë në vendimin tim, pasi ai u tregua konkret, i vendosur dhe i drejtpërdrejtë në bisedimet me mua. Unë jam i lumtur që do të luaj në një stadium të mbushur plot në çdo ndeshje”.

Mavraj ka nënshkruar një kontratë 3.5 vjeçare, dhe sipas mediave gjermane do të ketë pagë 1.8 milionë euro në sezon.