Ministri amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, akuzoi sot në Kiev palën ruse se dëshiron të ndryshojë kufijtë në Evropë.
Ai sinjalizoi se do të mbështesë kërkesën e Ukrainës për dërgesë të armëve për mbrojtje.
Mattis, i cili mori pjesë në ceremoninë solemne, me rastin e 26-vjetorit të pavarësisë së Ukrainës në Kiev, po ashtu tha se administrata Trump nuk pranon dhe nuk do të pranojë aneksimin rus të Krimesë.
“Mos dyshoni. SHBA qëndrojnë prapa Ukrainës”, tha Mattis.
Ai kritikoi ashpër Rusinë duke thënë se prania e tij në Kiev tregon përkushtimin e thellë amerikan ndaj sovranitetit të Ukrainës.
“Pavarësisht mohimeve të Rusisë, ne e dimë se ata vazhdojnë që të ndryshojnë me dhunë kufijtë ndërkombëtarë”, tha Mattis.
Ai ka bërë me dije se një ambicie e tillë e Moskës kërcënon vendet sovrane evropiane dhe ngrit tensionet, transmeton KosovaPress.