Halil Matoshi nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka thënë se kërkesa e kandidatit për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, për të zgjedhur një kryetar Kuvendi sipas dëshirës së tij, është thirrje për përmbysjen e rendit juridik dhe kushtetues të Kosovës.
Analisti politik dhe publicisti Matoshi në një postim në Facebook shkruan se Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk kanë heqë dorë nga përmbysja e rendit kushtetues.
Postimi i plotë:
Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk kanë heqë dorë nga përmbysja e rendit kushtetues
“Gjykata është e varur nga Kushtetuta, dhe jo Kushtetuta nga Gjykata, andaj interpretimet e saj mund të përmbysen gjithnjë. Pikërisht kështu në secilin vend të botës jurisprudenca evoluon dhe korrigjon gabimet e të shkuarës. Sidomos në një rast kaq të rëndë sa ky i yni, përfaqësuesit e Kuvendit të Kosovës kanë detyrën, e jo thjesht të drejtën, që të mos e marrin parasysh atë interpretim të gabuar dhe të ndjekin kuptimin e vërtetë të Kushtetutës”, shkruan Kurti. Derisa dihet se Gjykata Kushtetuese është instanca më e lartë dhe e fundit e interpretimit të Kushtetutës në një rend demokratik, secili verdikt i saj është përfundimtar dhe vlen si precedent për një kontest juridik dhe nuk mundet me u ndryshua përpos me amandamentimin e Kushtetutës dhe ndryshimin e saj me 3/4 e votave të Kuvendit plus vota e dyfishtë e komuniteteve jo shumicë! Kërkesa e Kurtit për me e zgjedh një kryetar Kuvendi sipas dëshirës së ti j, është thirrje për përmbysjen e rendit juridik dhe kushtetues të Kosovës!