Aktuale

Masakra në Qipro, grekët zbulojnë ku fshihet vrasësi shqiptar

Njëri nga vrasësit shqiptarë të masakrës së 4-fishtë në Qipro katër ditë më parë, 48-vjeçari Aleks Burreli vijon të jetë ende në kërkim, ndërsa policia qipriote mund të ketë një të dhënë rreth vendndodhjes së tij.

Besohet se Aleks Burreli fshihet në Keratsini. Kjo e fundit është një zonë në Athinë, ku ai ka kaluar një pjesë të mirë të jetës së tij. Të paktën kështu shkruajnë mediat greke duke iu referuar burimeve nga policia. Autoritetet qipriote kanë shpërndarë fotografinë e Aleks Burrelit, në mënyrë që të mund të identifikohet edhe nga qytetarët.

Nga hetimet e deritanishme, rezulton se 48-vjeçari nga Mati drejtonte makinën me të cilën u afrua së bashku me shqiptarin tjetër Jani Vogli, duke hapur zjarr ndaj biznesmenit qipriot që ishte shenjëstra e atentatit dhe personave të tjerë në tavolinë. Gjatë të shtënave dhe shkëmbimit të zjarrit me palën tjetër, mbeti i vdekur dhe atentatori shqiptar Jani Vogli, megjithatë policia ka dyshime për mënyrën e vrasjes së tij. Hetuesit besojnë se Aleks Burreli është ndihmuar edhe nga një person i tretë, bashkëpunëtor i tij.

Hetimet për kapjen e tij po zhvillohen me intensitet të lartë, për shkak të ngjarjes së rëndë të ndodhur në Qipro. Policia gjithashtu i druhet faktit se ai mund të ekzekutohet nga porositësi i krimit për të zhdukur gjurmët dhe për të mos lënë dëshmitarë.

Një gjë e tillë ka ndodhur disa vite më parë në një tjetër atentat ndaj biznesmenit grek, ku shpëtoi mrekullisht.

Kush është Aleks Burreli?

Në vitin 2013, Aleks Burreli u arrestua pasi nuk i ndaloi policisë gjatë një kontrolli në Keratsini dhe u arratis me makinë duke rrezikuar edhe jetën e efektivëve të policisë. Gjatë arratisjes me shpejtësi të lartë, makina që ai drejtonte u përmbys, në të cilën udhëtonte bashkë me një shtetas grek. Fllimisht ai u akuzua për tentativë të vrasjes së punonjësve të policisë dhe qëndroi në paraburgim për 12 muaj, por më pas akuza iu lehtësua në kundravajtje e shkelje të rregullave të qarkullimit.

Në vitin 2006, ai u arrestua për posedim të kokainës pasi u kap me 1 kg dhe u dënua me 14 vjet burg.

Burreli la qelinë në vitin 2009. /Syri.net/