Stephen Paddock, njeriu përgjegjës prapa masakrës në Las Vegas, e kishte plagosur një roje të sigurisë, gjashtë minuta para se ta kryente sulmin, njoftojnë zyrtarët amerikanë.
Fillimisht policia tha se roja e sigurisë e pengoi Paddockun teksa sulmi po ndodhte, transmeton Express.
Ky zbulim ka shumë mundësi të ngre pyetje pse policia nuk ishte në gjendje ta gjente më shpejt vendndodhjen e Paddock.
Paddock shtiu me armë zjarri mbi turmën e njerëzve në koncert nga dhoma e tij në katin e 32-t të hotelit “Mandalay Bay”.
Roja e sigurisë Jesus Campos është lavdëruar se e ka penguar Paddockin duke mos e lejuar të vriste më shumë njerëz, sepse ai ishte detyruar ta gjuante atë përmes derës së hotelit.
Në atë kohë, policia pati thënë se pasi e plagosi rojën e sigurisë, Paddock ndaloi së gjuajturi me armë ndaj turmës.
Por tani, policia thotë se Paddock e plagosi Camposin në këmbë në orën 21:59 më 1 tetor. Sipas tyre, roja po e hetonte një alarm që kishte rënë në një dhomë tjetër në të njëjtin kat.
E Paddock nisi të shtijë me armë ndaj turmës në orën 22:05 dhe vazhdoi për 11 minuta rresht, thotë policia. /Express/