Policia e Elbasanit ka arrestuar dy shtetas të shpallur fajtorë në rigjykimin nga Gjykata për Krimet e Rënda në Tiranë për vrasjen e gardistëve në Cërrik në ngjarjet e vitit 1997.
Të ndaluarit janë Meti Bozi, 58 vjeç dhe Skënder Cano, 61 vjeç. Shkalla e Parë për Krime të Rënda në Tiranë vendosi dy ditë më parë dënimin me burg për jetë për Bozin dhe 13 vjet për Canon.
Këta shtetas, si anëtarë të bandës së Cërrikut, u dënuan për vrasjen për shkak të cilësive të veçanta të gjashtë policëve dhe vrasjen e mbetur në tentativë për 16 efektivë të tjerë të policisë dhe Gardës së Republikës.
Meti Bozi, Skënder Cano dhe Llazar Bicja u shpallën të pafajshëm nga Apeli i Krimeve të Rënda në shtator të 2012-s, vendim ky që u rrëzua nga Gjykata e Lartë në 2015 dhe çështja u kthye për rigjykim në Shkallën e Parë të Krimeve të Rënda.
Ndërkohë, policia thotë se po punon për kapjen e dy personave të tjerë.