Aktuale

“Martesa e panatyrshme”, PDK-LDK , nëntë vjet bashkë

Pakkush pas luftës kishte menduar se Lidhja Demokratike e Kosovës e Ibrahim Rugovës do të bënte ndonjëherë koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës, parti kjo që udhëhiqej nga Hashim Thaçi, kundërshtari numër një i Rugovës.

Kjo duke pasur parasysh historinë e këtyre dy partive,  të cilat gjithnjë e kanë konsideruar  njëra-tjetrën rivalet më të mëdha.

Por,  PDK dhe LDK janë bashkë tash e nëntë vjet, megjithëse me disa ndërprerje të vogla.

Më 9 janar të vitit 2008, pas zgjedhjeve të përgjithshme  kur për herë të parë LDK doli e  dyta,  është arritur një marrëveshje mes LDK-së që pas vdekjes së Ibrahim Rugovës udhëhiqej nga Fatmir Sejdiu dhe PDK-së e udhëhequr nga Hashim Thaçi.

Partia e këtij të fundit për herë të parë pas luftës arriti që të dalë e para duke lënë kështu prapa LDK-në e ndarë dhe pa liderin e saj historik.

Kjo ishte edhe data kur u thye ai miti se LDK nuk bëhet bashkë me PDK-në që konsiderohej si parti e dalë nga lufta që kritikonte politikën pacifiste të LDK-së.

Shpeshherë u tha se këto marrëveshje të paimagjinaura po bëhen për hir të interesave të vendit. Mirëpo kështu nuk mendojnë ata që analizojnë sitatën politike në vend.

Mandatet qeverisëse mes PDK-së dhe LDK për ta udhëhequr vendin asnjëherë nuk e kanë shkuar deri në fund.

E analistët politikë mendojnë se as kësaj here nuk do t’i shkojnë deri në fund mandatit ndërsa mendojnë se sa më shpejt që të ndahen është më mirë për vendin.

Hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës(KDI), Albert Krasniqi, tha për KosovaPress  se koalicioni ndërmjet PDK-së dhe LDK-së kryesisht është bërë për shkak se kanë qenë më lehtë të arrihen marrëveshjet, ngase i kanë pasur numrat me fuqi elektorale.

 

“Nëse e shikojmë të kaluarën e këtyre dy subjekteve politike ka qenë e vështirë të imagjinohet që këto dy subjekte do të mund të arrinin një partneritet në mes vete e lëre më që të bashkëqeverisnin për një kohë kaq të gjatë. Mirëpo, ky koalicion ndërmjet këtyre dy subjekteve politike kryesisht ka qenë i bërë për shkak se kanë qenë më lehtë të arrihen marrëveshjet, ngase i kanë pasur numrat me fuqi elektorale, pra më lehtë për të krijuar koalicionet. Po ashtu janë bërë edhe me të vetmen premi që ka qenë ndarja e pushtetit dhe nuk kanë pasur parime të tjera të bashkëqeverisjes, e cila do të mund t’i ndanin këto dy subjekteve politike”, tha Krasniqi.

Ai duke i vlerësuar bashkëqeverisjet PDK-LDK, tha se asnjë mandat nuk është çuar deri në fund, dhe nga qeverisja aktuale, Krasniqi pret që në momentin e parë që njëra prej këtyre dy subjekteve do të jetë në situatë të vështirë, do të shfrytëzohet për ta prish koalicionin dhe për të quar vendin në zgjedhje.

 

“Në këtë këndvështrim mund të themi që këto dy subjekte kanë qenë partner të përshtatshëm, mirëpo nëse e shohim jetëgjatësinë e koalicioneve dhe mandateve qeverisëse, asnjë prej këtyre mandateve nuk kanë shkuar deri në fund, çka është një element i cili tregon se nuk është se kanë besueshmëri ndërmjet vetes, për shkak se njëkohësisht janë edhe rivalët më të mëdhenj në mes vete, dhe janë ata fajtorët kryesor për gjendjen e tanishme politike për shkak të kohës të cilën kanë qeverisur dhe arritjen e koalicioneve pa parime dhe pa kritere se si do të duhej të ishte qeverisja”, tha Krasniqi.

Ndërsa analisti politik, Imer Mushkolaj  mendon se ky koalicion është më shumë për hir të interesave qoftë të njërës parti qoftë partisë tjetër, ngase sipas tij, po të kishte koalicion për hir të interesave të shtetit nuk do të ngeceshin proceset me rendësi për vendin, të cilat sipas Mushkolajt kanë mbetur të pa realizuara siç është marrëveshja e Demarkacionit dhe lufta ndaj krimit dhe korrupsionit.

“Ne e dimë se dy proceset më të rëndësishme politike që kanë bllokuar tash e një vjet është marrëveshja për Demarkacionin dhe procesi i luftimit të krimit dhe korrupsionit. E këto pastaj rrjedhimisht kanë ndikuar edhe në mos realizimin e vizave. Konsideroj po ashtu se proces më të rëndësishëm se sa luftimi i krimit dhe korrupsionit nuk ka momentalisht Kosova, por fatkeqësisht po del se ky koalicion pavarësisht numrave apo deputetëve që ka në Kuvend nuk ka arrit që të bëjë mjaftueshëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Nuk i besoj teorisë se ky koalicion është bërë për hir të proceseve të rëndësishme për shkak se konsideroj se pavarësisht kësaj koalicioni do të duhej që të kishte quar përpara këto procese të cilat fatkeqësisht kanë ngecur”, tha Mushkolaj për KosovaPress.

Mushkolaj tha se për t’u zhbllokuar këto procese, është mirë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja sa më parë. Punën e qeverisë Mustafa, Mushkolaj e ka vlerësuar si të dobët, e cila sipas tij, ka bllokuar edhe gjithë procesin politik në vend.

“Unë do të befasohesha shumë nëse koalicioni e çon mandatin deri në fund. Dhe po ashtu konsideroj se do të ishte shumë e dëmshme që ky koalicion e çon mandatin deri në fund, këtë duke pasur parasysh pafuqinë politike të koalicionit. Mirëpo fatkeqësisht po them pavarësisht numrave, koalicioni respektivisht kryeministri Mustafa si shef i ekzekutivit është treguar jashtëzakonisht i dobët dhe e kanë bllokuar në njëfarë forme të gjithë politikën në Kosovë, gjithë proceset në vend. Nuk besoj se koalicioni do të çoj mandatin deri në fund, andaj, sa më shpejt që caktohen zgjedhjet e reja, unë besoj se do të jetë më mirë për vet koalicionin, mirëpo natyrisht shumë më mirë për qytetarët në Kosovë”, tha Mushkolaj.

Ndryshe, më 9 janar 2008 është formuar koalicioni qeveritar mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës me kryeministër Hashim Thaçin. Qeveria përbehej nga kryeministri dy zëvendëskryeministra dhe 17 ministra. /KP