Aktuale

Marrëveshja Prishtinë-Tiranë: Kosovarëve u ofrohen shërbime konsullore në Konsullatën Shqipërisë në Bar

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës në bashkëpunim me të njëjtin dikaster nga Shqipëria janë marrë vesh që kosovarëve tu ofrohet shërbime konsullore në Konsullatën e Shqipërisë në Bari.

Sipas një komunikate për media, ofrimi i shërbimeve konsullore për qytetarët e Kosovës është bërë për t’i mbështetur kërkesat dhe nevojat e kosovarëve në rajonet e jugut të Italisë, por edhe për të gjithë ata që e zgjedhin portin e Barit si pikë hyrëse ose dalëse.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Punëve të Jashtme  e Republikës së Shqipërisë, sot, gjatë vizitës së ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, në Tiranë në kuadër të Konferencës së Ambasadorëve, bëjnë me dije se nën ombrellën që krijon marrëveshja e vendosur mes dy palëve për të bashkëpunuar dhe mbështetur njëra-tjetrën në shërbimin diplomatik dhe atë konsullor do të hedhin edhe një hap tjetër, duke përforcuar nivelin dhe stadin e marrëdhënies në përfaqësimin e përbashkët Kosovë – Shqipëri.

Ofrimi i shërbimeve konsullore për qytetarët e Kosovës në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Bari, bëhet për të mbështetur dhe asistuar kërkesat dhe nevojat e shtetasve të Kosovës, në rajonet e Jugut të Italisë, por edhe për të gjithë ata që zgjedhin Barin, si portin hyrës ose dalës, për udhëtimet, pushimet apo lëvizjet e tyre nëpërmjet Shqipërisë për në Kosovë.

Kjo praktikë është vazhdimësi e bashkëpunimit që ka filluar më herët në Milano si dhe para disa javësh në Mynih”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Jashtme.