Agjencia Kundër Konkurrencës ka filluar të hetoj një marrëveshjen të bërë mes Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Postës së Kosovës, e cila dyshohet se është bërë pa procedura tenderuese, duke i mundësuar Postës që të vendoset brenda Agjencisë së Regjistrimit Civil, ku qytetarët bëjnë pagesa bankare për dokumentet të identifikimit.
Marrëveshja e bërë në këtë mënyrë ka diskualifikuar institucionet të tjera të cilat kanë licencë për këtë veprimtari. Kryetari i Agjencisë Kundër Konkurrencës (AKK), Valon Prestreshi, ka thënë se kjo marrëveshje është në fazën e hulumtimit nga ana e AKK-së dhe rast se konstatohet që ka shkelje të konkurrencës, atëherë, AKK do t’i rekomandojë ministrisë që të prishet.
“Është një rast shumë interesantë. Posta, ndërmarrje publike ka lidh një marrëveshje me Ministrinë e Punëve të Brendshme, dhe e njëjta është pozicionuar në mënyrë fizike në Agjencinë e Regjistrimit Civil, me një marrëveshje e cila i qet jo në favor të mirë konkurrentët. Ta kemi parasysh që Posta normalisht askush nuk ia konteston shërbimin e saja postare por Posta është e licencuar për ta kryer pagesat të vogla si Institucion Financiare nga BQK-ja …. E vërteta është që nuk ushtron aktivitet ekonomik , po ia ka mundësuar Postës me ushtrua aktivitet ekonomik, duke i qit konkurrentët tjerë jashtë lojës. Ne jemi duke e hetuar këtë rast edhe në javët në vijim do të vijmë me një vendim përfundimtarë rekomandues për ministrin “, tha Prestreshi.
Ai po ashtu ka thënë se edhe në rastet kur kanë të bëjnë me ndërmarrje publike e që ato konsiderohen shtetërore, duhet t’i respektojnë ligjet dhe mbi gjitha Kushtetutën.
“Të gjitha ndërmarrjet që ushtrojnë veprimtari ekonomike në tregun relevantë duhet të iu nënshtrohen ligjit për mbrojtjen e konkurrencës. Unë dua ta potencoj faktin se ndërmarrjet publike duhet me iu nënshtruar ligjit për konkurrencë, sepse ligji për mbrojtjen e konkurrencës është derivat nga Kushtetuta edhe ne e dimë të gjithë që neni 10 i Kushtetutës së Kosovës, thotë që ekonomia e tregut me konkurrencë të lirë është bazë e rregullimit ekonomik të Kosovës. Neni 119 i Kushtetutës së Kosovës thotë veprimet që e kufizojnë lirinë përmes vendosjes ose abuzimit të pozitës dominuese ose praktikave që e kufizojnë konkurrencën janë të ndaluara me përjashtim kur ka ndonjë ligjë të veçantë. “, tha Prestreshi.
Ndërsa, Roksana Qari, zyrtare për informim në MPB, tha se Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka interes financiar në këtë çështje, që nënkupton se nuk ishte dhe nuk është në interesin e MPB të lëshojë hapësira në shfrytëzim me qëllim të krijimit të të hyrave shtesë për buxhetin e Kosovës, përkatësisht të MPB-së.
“Bazuar në këtë parim themelor, të gjitha veprimet e mëtutjeshme janë ndjekur duke marrë për bazë interesin e përgjithshëm. Pra, për ne interesi i përgjithshëm nënkuptonte arritjen e një Marrëveshjeje me Postën e Kosovës, aksionar i se cilës 100% është Qeveria e Republikës së Kosovës dhe që kostot e përgjithshme e shërbimeve do të ishin shumë më të ulëta për MPB dhe për qytetarët e Kosovës.”, ka thënë Qarri në përmes përgjigjeve elektronike.
Sipas saj, për arritjen e marrëveshjes është marrë për bazë edhe baza ligjore ekzistuese dhe janë zhvilluar bisedime dhe konsulta përafërsisht 3 muaj.
“Në këtë rast është konsultuar baza ligjore e Ligjit të Prokurimit Publik, si dhe është konsultuar organi kompetent dhe interpretimi i dhënë nga KRPP është kërkuar para se të hartohet Marrëveshja me MPB. Dhe parimi i fundit është; Përderisa ka ekzistuar vullneti i dyanshëm mes MPB dhe PTK për ofrimin e shërbimeve postare dhe të pagesave, e që në thelb janë shërbime në interes të përgjithshëm; si dhe përderisa ka ekzistuar baza ligjore për arritjen e një Marrëveshjeje të tillë, atëherë MPB dhe PTK janë pajtuar që të nënshkruajnë draftin e propozuar nga PTK. Ne nuk kemi nxjerrë asnjë vendim që detyron qytetarët të kryejnë pagesë tek sportelet e PTK, ata janë të lirë të zgjedhin secilin filial që dëshirojnë për t’i bërë pagesat.” thuhet në përgjigjet e Qarrit.
Bashkim Mustafa, zyrtarë nga Posta e Kosovës, ka thënë përmes një përgjigje elektronike se janë respektuar të gjitha kriteret dh se kjo marrëveshje bazohet në Nenin 9.4 të Ligjit për Prokurim Publik. Paraprakisht është marrë edhe interpretimi ligjor nga KRPP, i cili interpretim është publikuar edhe në ëebfaqen zyrtare të KRPP.
Sipas tij, Posta e Kosovës është shtrirë në disa qendra dhe se kanë për qëllim që të përfshihen në të gjitha qendrat e Kosovës, sepse kjo është në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe praktikë në vendet e rajonit e më gjerë.
Ndërsa sa i përket pyetjes nëse janë kontaktuar nga AKK-ja, për këtë rast, Mustafa ka thënë se Posta nuk është e njoftuar zyrtarisht për ndonjë hulumtim nga kjo Agjenci. /KosovaPress/