Aktuale

Marrëveshja e dështuar e drejtësisë për gjyqtarët serbë, vjen reagimi i Brukselit

Bashkimi Evropian shpreh keqardhje për kërkesën e Serbisë që integrimi i personelit serb në gjyqësorin e Kosovës të shtyhet, tha zëdhënësja e bllokut, Maja Kocijançiq.

“Prishtina i ka përmbushur të gjitha obligimet në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes për gjyqësorin. Integrimi i personelit është i rëndësishëm, sepse i kontribuon sundimit të ligjit në Kosovë, përkatësisht në rajonin e Mitrovicës”, tha Kocijançiq për gazetarët në Bruksel.

Sipas saj, kjo duhet të ndodhë sa më shpejt, shkruan REL.

Kocijançiq kujtoi se përparimi i të dyja palëve në integrimin evropian është i lidhur me përparimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

Kujtojmë se sot ka dështuar marrëveshja e Brukselit, pasi 42 gjyqtarët serbë nuk kanë shkuar për ta bërë betimin te Presidenti Hashim Thaçi, si gjyqtarë të Gjykatës Themelore për rajonin e Mitrovicës.

Hashim Thaçi dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takimin e muajit gusht në Bruksel, u pajtuan për zbatimin e plotë të Marrëveshjes për drejtësinë, konkretisht integrimin e gjyqtarëve e prokurorëve në sistemin e drejtësisë të Kosovës.

Sipas marrëveshjes së arritur, gjyqtarët dhe prokurorët më 17 tetor do të duhej të integroheshin në sistemin e drejtësisë të Kosovës.