Rajon & Botë

Maqedonia dhe Bullgaria nënshkruajnë marrëveshje për fqinjësi të mirë

Kryeministri i Maqedonisë dhe ai i Bullgarisë, Zoran Zaev dhe Bojko Borisov, nënshkruan sot marrëveshjen për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim.

Kryeministrat e dy vendeve fqinje në konferencën e përbashkët, deklaruan se nënshkrimi i marrëveshjes është shembull i fqinjësisë së mirë mes dy vendeve dhe tregon se vendet e rajonit kanë udhëheqje evropiane.

Marrëveshja parashikon mbështetjen nga Sofja në aspiratat euro-atlantike të Shkupit, bashkëpunim në plan bilateral dhe multilateral, përmirësimin e lidhjeve të transportit, lehtësimin e formaliteteve doganore dhe kufitare, përcaktimin e fondeve për projekte rajonale infrastrukturore dhe ndërkufitare si dhe lehtësimin e kontakteve mes qytetarëve të të dy vendeve.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev theksoi se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje dëshmon se atje ku ka vullnet politik dhe të ardhme, çështjet do të zgjidhen.

Sipas tij, kjo marrëveshje le të jetë ide, shembull dhe model i bashkëpunimit për rajonin dhe më gjerë.

Opozita maqedonase, VMRO-DPMNE, kundërshton marrëveshjen e nënshkruar me Bullgarinë, duke pretenduar se ajo dëmton historinë e Republikës së Maqedonisë.

Në pyetjen e gazetarëve, në lidhje me këtë kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov apeloi që opozita maqedonase të mbështetë marrëveshjen e nënshkruar, sepse është në të mirë të të dy vendeve, si dhe shtoi se “kjo është demokracia, kritika do të ketë çdo herë”.