Rajon & Botë

Maqedoni – Skepticizëm rreth marrëveshjes politike

Njohësit e rrethanave politike në Maqedoni shprehen të ndarë rreth zbatimit të Marrëveshjes politike që e arritën dje katër partitë më të mëdha – VMRO-DPMNE, LSDM, BDI dhe PDSH.

Jove Kekenovski hedh dyshime se liderët politikë do t’i përmbushin angazhimet që morën përsipër. Ndërkaq, Albert Musliu vlerëson se ka vend për optimizëm.

“Nuk mund të jem optimist për arsye se te ne problemi nuk qëndron te Marrëveshja por te njerëzit, respektivisht te përmbushja e premtimeve që japin liderët politikë. Afatet janë shumë të shkurtra, prej sot deri më 31 gusht, kur liderët duhet të pajtohen se janë plotësuar kushtet, ka më pak se 45 ditë. Afatet pra janë të shkurtra, ndërsa dinamika dhe obligimet që janë marrë përsipër janë shumë të mëdha”, tha Kekenovski.

Megjithëse Marrëveshja e djeshme nuk nënkupton përfundimin e krizës politike, Albert Musliu vlerëson se partitë në pushtet duhet të angazhohen maksimalisht për të zbatuar të gjitha reformat që do të hapnin rrugën për zgjedhje korrekte dhe demokratike.

“Duhet të tregojnë gjerësi politike pasi kjo krizë na ka lodhur të gjithëve, e kanë lodhur ekonominë, i ka lodhur qytetarët, prandaj detajet që varen nga vullneti momental anëtari i pestë i këshillit ose drejtori i MRTV-së në 100 ditët e fundit mos insistojnë shumë në detaje, sepse vet fakti që ka shumë detaje tregon se interesi i tyre nuk ka qenë intersi i përgjithshëm por ai partiak”, deklaroi Albert Musliu.

Keknovski shpreh shqetësimin se Marrëveshja politike nuk parashikon në mënyrë eksplicite formimin e dhomave të veçanta në kuadër të Gjykatës Penale. Por për Musliun pika që parashikon ndryshime në ligjin për Prokurori Speciale mund të nënkuptojë edhe formimin e këtyre njësive.

“Prej kohësh flitej për formimin e dhomave të veçantë…është fakt se kemi gjykata të politizuara, gjykatës që punojnë në shërbim të partive në pushtet. Kjo më bën pesimist se Prokuroria Speciale do të mund të përfundojë punën në afatin e caktuar prej 18 muajve”, tha Keknovski.

“Ka një pikë të pa sqaruar edhe pse është përmendur puna e Prokurorisë Speciale ku partitë marrin obligim që varësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese të bëjnë ndërhyrje ligjore. Ato nuk nënkuptojnë vetëm ndryshime ligjore por edhe ndryshime kushtetuese ose krijimin e institucioneve të tjera që do ta mbështesin punën e Prokurorisë Speciale, kjo është pjesa më relevante për ne si qytetarë që u arrit në këtë Marrëveshje”, tha Musliu.

Marrëveshja që u arrit një ditë më parë mes partive politike parashikon që në rast se Gjykata Kushtetuese konteston kushtetutshmërinë e Ligjit për Prokurori Speciale, katër partitë politike në një afat prej 5 ditësh të miratojnë ndryshime ligjore të harmonizuara me vendimin e Gjykatës por edhe Prokurorisë./Alsat/