Rreth 19 përfaqësi diplomatike të Maqedonisë në botë janë pa ambasador ose konsull, ka thënë sot ministri i Jashtëm Nikolla Dimitrov sipas të cilit, procedura për plotësimin e këtyre vendeve tashmë ka filluar.
Mungesa e ambasadorëve në shumë vende të rëndësishme të botës dhe për shumë vite, është kritikuar nga ekspertët sipas të cilëve, në këtë formë dëmtohet imazhi i vendit.
Por, Dimitrov thotë se do të jetë e vështirë që përnjëherë të plotësohen të gjitha vendet, pasi që kjo punë do të shkojë në faza.
“Në njëfarë mënyre me krizën Maqedonia ngeci në vend si shtet dhe ne trashëguam një situate të vështirë me rreth, nëse nuk gabohem, 19 vende boshe për shefat përfaqësive diplomatike konsullore. Kemi pasur disa takime për këtë temë me presidentin George Ivanov. Vetë procedura shkon në pajtim edhe me vendet ku do të jenë të akredituar ata ambasador kështu që kjo nuk do të mund të përfundojë brenda natës. Paraprakisht kemi pasur një praktikë shumë të çuditshme të konkurseve që është në kundërshtim me rregullat për ambasadorët e karrierës kështu që këtu kemi një sfidë të madhe. Kjo është pyetje me prioritet të lartë”, ka thënë Dimitrov.
Alsat disa herë ka ngritur shqetësimin për mos-emërimin e ambasadorëve, në përfaqësitë ku sipas ndarjes jozyrtare të kulaçit të pushtetit të kaluar mes partnerëve të koalicionit të mëparshëm VMRO-DPMNE dhe BDI, shumë prej tyre duhet të ishin shqiptar.
Disa nga përfaqësitë diplomatike pa ambasador janë në Sarajevë ,Bernë, Gjenevë, Varshavë , Norvegji, Katar, Francë./Alsat M/