Analisti Ismet Ramadani vlerëson se fushata zgjedhore hyn në ditët e saj më kritike. Kur kanë mbetur edhe më pak se katër ditë, Ramadani vlerëson se partitë në pushtet do të shfrytëzojnë të gjithë resurset e tyre për të mposhtur oponentët.
Partitë politike tani do ta zbrazin atë arsenalin e fundit të tyre, për të akuzuar të tjerët dhe për të promovuar vetveten ose platformat, programet e tyre. Duhet pasur kujdes së partitë në pushtet do të përdorin të gjithë instrumentet që i posedojnë si pushtet”, deklaroi analisti Ismet Ramadani.
Për Ramadanin, një pjesë të mekanizmave të tyre joligjore, partitë i shfrytëzojnë edhe gjatë heshtjes parazgjedhore duke synuar blerjen e votave dhe fton institucionet kompetente të detektojnë të gjitha rastet e kërcënimeve dhe shantazheve.
“Ajo në fakt është dita kur aktivizohet tregu i zi i shitblerjes së votave dhe mendoj se të shtunën të gjithë institucionet kompetente duhet të jenë aktive”, tha Ramadani.
Kodi Zgjedhor parasheh që gjatë heshtjes zgjedhore të stopojnë të gjithë aktivitetet promovuese të pjesëmarrësve në zgjedhje. Ministria e punëve të brendshme nga ana tjetër, ditë më parë njoftoi se është e gatshme për sigurimin e qetësisë në ditën e zgjedhjeve. Sipas ligjit policia siguron të gjithë vendvotimet kurse edhe këshilli zgjedhor kujdeset për sigurinë e rendit dhe qetësisë në vendin e votimit dhe ka të drejtë të largojë gjithkënd që prish rendin dhe qetësinë dhe votuesin që fotografon fletën e votimit. Askush nuk ka të drejtë të paraqitet në vendvotim i armatosur. Për pengimin e zgjedhjeve dhe procesit të votimit, për lëndim dhe keqpërdorim të të drejtës së votës, për pengim të lirisë së votuesve për t’u përcaktuar, për blerje gjatë zgjedhjeve dhe votimit, për zhbërjen e të drejtës së votës dhe për mashtrim zgjedhor, autori do të dënohet në pajtim me Kodin penal.
Gjobat e parapara për këto shkelje, sipas Kodit Zgjedhor, variojnë nga e pakta 300 euro për personat fizik deri 5 mijë euro për personat juridik.