Aktuale

Maksymiuk: Demarkacioni të zgjidhet përmes ekspertizës e procesit demokratik

Normalizimi i marrëdhënieve me Beogradin, Gjykata Speciale dhe Demarkacioni me Malin e Zi, janë vendimet më të vështira, me të cilët është përballur shteti i Kosovës.

Por, por të gjitha këto, Qeveria duhet të kryejë punën e saj dhe të marrë përgjegjësinë për vendimet. Kështu ka deklaruar ambasadori i Kanadasë në Kosovë, Daniel Maksymiuk, i cili në një intervistë ekskluzive për KosovaPress, tha se Kanadaja do të vazhdojë të përkrahë Kosovën në integrimi në organizata ndërkombëtare.

Lidhur me demarkacionin me Malin e Zi, ai tha se procese të tilla kanë ndodhur edhe në shtetit e tij, por ato duhet të zgjidhen përmes ekspertizës dhe proceseve demokratike.

 

“Jemi në një ditë që është e rëndësishme për popullin e Kosovës, për të ardhmen e shtetit të Kosovës, unë jam optimist për Kosovën. Them se Kosova është një partner i mirë për Kanadanë dhe ne po e përkrahim fuqishëm integrimin e plotë të Kosovës në komunitetin ndërkombëtar. Ky vendim sot, është një hap përpara…këto procese janë normale në mes dy vendeve dhe marrëdhëniet mes tyre. kjo është edhe në Kanada, kemi pasur pyetje të tilla nga fqinjët tanë, por vendimet duhet të merren në bazë të ekspertizës dhe proceseve demokratike”, tha  Maksymiuk.

I pari i diplomacisë kanadeze në Kosovë deklaroi se e ardhmja e Kosovës është në drejtim të Evropës dhe familjes euroatlantike.

Ai thotë se do të përkrah një gjë të tillë në cilësinë e ambasadorit.

 

“Unë besoj gjithashtu se e ardhmja e Kosovës është në drejtim të Evropës dhe në drejtim të familjes euroatlantike. Unë e di që populli dhe liderët e Kosovës fuqishëm janë duke shkuar në këtë drejtim dhe unë do të doja që si ambasador i Kanadasë, të bëjë atë çfarë mundem për ta përkrahur këtë…Unë jam ambasador që 1 vit në Kosovë dhe gjatë kësaj kohe kam parë disa vendime të vështira, por mendoj se ka qenë vështirë edhe për Qeverinë. Vendime të vështira në dialogun me Beogradin, vendim të vështirë për Gjykatën Speciale dhe sot vendim të vështirë për demarkacionin me Malin e Zi. Mendoj se Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë përgjegjësinë që ka për këto vendime, ndonëse janë të komplikuara”, tha Maksymiuk.

I pyetur për zhvillimin ekonomik në Kosovë, Maksymiuk tha se do të donte të shihte më shumë investime në ekonominë e Kosovës.

Ai thotë se lidhur me këtë gjë, ai ka biseduar edhe ministrinë e Financave, Avdullah Hoti dhe ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavilecin.

Ai ka përmendur edhe investimet kanadeze që janë bërë në Kosovë.

 

“Do të doja të shoh më shumë investime në ekonominë e Kosovës. Në një bashkëbisedim sot me ministrin e Financave, po ashtu kam biseduar disa herë edhe me ministrin Stavileci për këtë. Unë besoj se nëse disa çështje mund të adresohen, për ta bërë më të lehtë për bizneset për të qenë të suksesshme në Kosovë, ne mund të shohim disa investime domethënëse që mund të bëhen, e të cilat do t’i përkrahja edhe unë…mundësia  më e mirë, e që është bërë edhe publike, qe ne kemi krijuar kompani që është zbuluar resurse domethënëse të arit në pjesë të Kosovës dhe jemi në procesin e hartizimit të asaj pjese, se sa e madhe është ajo dhe për ta zhvendosur nga zbulimi në kompani komerciale, për këtë kemi biseduar edhe me ministrin Hoti”, tha Maksymiuk.

Sa i përket liberalizimit të vizave, Maksymiuk thotë se nuk mund të marrë qëndrim për një gjë të tillë, pasi sipas tij, liberalizimi nuk është vendim politik.

Ai ripërsëriti përkrahjen e tij, për integrimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

 

“Kanadaja ka qenë një përkrahëse e Kosovës, para dhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe vazhdojmë të jemi edhe më tej. Dhe ne fuqishëm e përkrahim integrimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe të pranohet nga sa më shumë vende…Unë nuk mund të marrë pozicion në këtë proces. Ky nuk është vendim politik, është një vendim që është bazuar në siguri”, tha Maksymiuk./KP