35 komuna të Kosovës në vitin 2015 kanë shpenzuar gjithsej 1,659,843 euro për rreth 1,029 persona që u paguan për kontratë në vepër. Për nga numri i të punësuarve prinë Prishtina e Gjilani.
Zyra Kombëtare e Auditimit –ZKA ka publikuan Raportin “Performanca financiare dhe shërbimet e ofruara në Komuna në vitin 2015. Të dhënat krahasuese dhe tregues të performancës”. Në këtë raport vëmendje i është kushtuar edhe kontratave në vepër të realizuara nga Komunat e Kosovës.
Prej të gjitha komunave, gjatë vitit 2015 vetëm komunat Klinë, Shtime, Novobërdë dhe Ranillugë nuk kanë angazhuar asnjë punonjës sipas kontratave për shërbime të veçanta.
Sipas Auditorit, derisa duhet të ekzistojë një ndërlidhje e përafërt mes numrit dhe pagesave, meqenë se ka kufizime në kohëzgjatjen e kontratave në vepër, komunat jo gjithmonë respektojnë këtë
Sipas të dhënave të ZKA, Komunat Prizren dhe Gjilan edhe pse kanë numër të përafërt të të angazhuarve në kontrata në vepër, pagesat në emër të tyre kanë shumë dallim. Kjo nënkupton që Gjilani mund t’i ketë punësuar ata me një kompenzim të lartë si dhe/ose i ka pasur të angazhuar gjatë gjithë vitit. Nëse krahasohet Gjilanin me Prishtinën, Prishtina ka paguar pak më shumë se sa Gjilani, por për një numër dyfish të të punësuarve. Prishtina gjatë vitit 2015 është evidentuar që ka punësuar (angazhuar) 276 punëtorë me kontratë mbi vepër dhe për ta ka paguar 463 mijë euro, ndërsa Gjilani ka punësuar 126 punëtor dhe ka paguar 321 mijë euro.
Kamenica edhe pse ka angazhuar një numër më të ulët në kontrata në vepër, shuma e paguar është më e lartë se sa ajo që ka paguar Gjakova edhe pse kjo e fundit kishte afro trefish më shumë të angazhuar.
Podujeva dhe Prizreni nuk kanë shumë dallime në pagesat e kompenzuara, por numri i të angazhuarve dallon. “Pra, Podujeva mund t’i ketë punësuar ata një kompenzim të lartë si dhe/ose gjatë gjithë vitit”, ka konstatuar auditori.
“Legjislacioni për shpenzimet në kategorinë e pagave dhe mëditjeve përmbanë rregulla dhe kufizime strikte për administratën publike, e veçmas për nivelin lokal. Në përputhje me planet strategjike për kategorizimin dhe kufijtë e shpenzimeve operative, përcaktohen edhe kufijtë e të punësuarve në administratë komunale. Njëkohësisht, me ligjin për shërbimin civil, lejohet që aty ku komuna ka nevojë për angazhim të ekspertëve për një periudhë të kufizuar, të zhvillojë procedura të thjetshtësuara të rekrutimit dhe se kontratat e tilla për shërbime të veçanta duhet të jenë deri në gjashtë muaj. Por, disa Komuna i akne tejkaluar normat e parapara”, thuhet në raportin e ZKA.
Ky raport i cili ëhstë publikuar me 2 shtator mbulon tetë fusha nga aktivitetet e qeverisjes lokale. Raporti paraqet një analizë krahasuese të treguesve në fushat: Investime Kapitale, Të Hyrat Vetjake, Financimi nga donatorët, Shpenzimet e Reprezentacionit, Telefonisë Mobile dhe Derivatet e Naftës, Kontratat në vepër, Detyrimet dhe Llogaritë e Arkëtueshme, Lejet Ndërtimore dhe Subvencionimi i Studentëve.
Prishtina është ne mesin e më të kqive tek trendi i reprezentacioni, shpenzimet e derivateve, Kontratat në vepër, Bursat për studentë. Por, marr parasysh totalin e indikatorëve, kryeqyteti është radhitur në vendin e dytë si më i miri për nga performaca totale. Në vendin e parë është Drenasi, në të tretin Istogu, pastaj Prizereni, Rahoveci, Shtimja, Klina, Vushtrria, Lipjani, etj
Reprezentacioni
Që nga viti 2013, në nivel të përgjithshëm shpenzimet për dreka zyrtare kanë shënuar rënie. Në vitin 2015, për 35 komuna janë shpenzuar 648,771 euro apo 13 për qind më pak se vitin 2014 (741,595 euro). “Përgjithësisht, shpenzimet e reprezentacionit nuk iu nënshtrohen kontrolleve të mjaftueshme. Nuk është e qartë nëse komunat e kuptojnë mjaftueshëm natyrën dhe qëllimin e këtyre shpenzimeve. Nuk ka ndonjë limit që përcakton deri në çfarë shkalle mund të bëhen këto shpenzime. Kjo ilustrohet me faktin se Komuna e Prishtinës është komuna më e madhe dhe kryeqendër e Kosovës, ndërsa në ranglistën e këtyre shpenzimeve, për nga shuma u rangua në të gjashtën”, thotë auditori.
Dhjetë komunat që kanë shpenzuar më së shumti reprezentacion për nga shuma janë: Gjakova 46,746 euro, Prizreni 46,026 euro, Fushë Kosova 33,423 euro, Peja 32,059, Graqanica 31,866 euro, Prishtina 31,777 euro, Malisheva 30,414 euro, Deçani 27,995 euro, Mitrovica 24,876 euro si dhe Skenderaj 24,085 euro.
Telefonia mobile
Pjesa tjetër e këtij treguesi përfshinë shpenzimet e telefonisë mobile duke analizuar edhe trendin e rënies/rritjes në krahasim me vitin paraprak. Përkundër faktit që viteve të fundit është rritur konkurrenca në industrinë e telefonisë mobile si dhe hapa përparimtar janë shënuar drejt ofrimit të kushteve më të favorshme për shfrytëzuesit e këtij shërbimi. Sipas auditorit në nivel të komunave pati rritje të përgjithshme prej 13 për qind në shpenzimet e telefonisë mobile.
Dhjetë komunat që kanë shpenzuar më së shumti në telefoninë mobile për vitin 2015 janë: Prishtina 63,749 euro, Prizreni 44,350 euro, Graqanica 37,657 euro, Peja 34,450 euro, Vushtrria 27,652 euro, Istogu 24,693 euro, Klina 24,606 euro, Gjakova 23,606 euro, Mitrovica 21,701 euro dhe Deçani 20,910 euro. Sikurse tek reprezentacioni, edhe për shpenzimet në telefon mobil, auditori ka analizuar shkallën e pjesëmarrjes së telefonisë mobile karshi totalit të kategorisë mallra dhe shërbime (pa përfshirë shpenzimet komunale). /Lajmi.net