Aktuale

Lushnje, arrestohen dy policë privatë, vodhën makineritë e TAP

Dy punonjës të një kompanie private të sigurisë janë arrestuar në Lushnje me akuzën e vjedhjes.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnje, arrestuan në flagrancë Ndriçim Beqirin, 26 vjeç, banues në fshatin Imsht, Lushnje dhe Veli Kumanakun, 23 vjeç, banues në fshatin Kallm i Vogël, Fier.

Veli Kumanaku, punonjës i SHPSF “Pelikani” me detyrë në ruajtje të makinerive dhe materialeve të Gazsjellësit “TAP” në fshatin Imsht, në orët e para të mëngjesit të datës 28.02.2017, në bashkëpunim me shtetasin Ndriçim Beqiri, kanë vjedhur 13 shtrate trarësh të makinerive dhe 600-700 litra naftë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje për veprat penale “Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën” dhe “Vjedhje e kryer në bashkëpunim” parashikuar nga Nenet 135/2 dhe 134/2 të Kodit Penal.