Kuvendi i Kosovës duhet sa më parë të ratifikojë marrëveshjen me Malin e Zi. Kështu tha raportuesja e Parlamentit Evropian në Kosovë, Ulrike Lunaçek në një konferencë për media, duke thënë se ky është topi që e ka Kuvendi i Kosovës për liberalizimin e vizave.
Madje ajo shtoi se vonimi i ratifikimit të kësaj marrëveshje mund të ketë pasoja të rënda për Kosovën, deri në mbylljen e derës.
“Secili në Kuvendin e Kosovës të përparojnë në çështjen e demarkacionit me Malin e Zi. Është kjo mundësi dhe duhet të shfrytëzohet. Sa i përket çështjes së lëvizjes së qytetarëve, topin e ka Kuvendi i Kosovës. Të ratifikojnë, të arrijnë 2/3 e votave sepse koha po ecën. BE-ja ka një rritje nga refugjatët dhe kjo ka ndryshuar peizazhin politik në shumë shtete, ku shumë parti nuk dëshirojnë më refugjatë dhe kjo në të ardhmen mund të ketë pasoja edhe për Kosovën. Ju duhet të shfrytëzoni këtë sepse dera mund të mbyllet”, theksoi ajo.
Lunaçek tha se punën e raportueses e ka bërë me shumë dëshirë dhe është kënaqur gjatë 8 viteve, ku ka pasur përparim në disa gjëra, përderisa shëndetësia, arsimi dhe punësimi janë pikat që fushat që ende ka nevojë të punohet në to.
“Ka nevojë për përparim në marrëdhëniet e Kosovës dhe BE-së dhe mes Kosovës dhe Serbisë. Kur flasim për arsimin, shëndetësinë dhe punën, mendoj se këtu do të doja të shihja më shumë në të ardhmen”, tha ajo.
Lunacek foli edhe për zgjedhjet, për të cilat tha se kanë përjetuar përparim. Sipas saj, Parlamenti Evropian është institucioni i vetëm që e njeh Kosovën si Republikë, ndërsa shtoi se do të donte që çdo qytetar i Kosovës të mund të lëvizë lirshëm.
Pasuesi i Lunaçek, Igor Sholtes u shpreh se Lunaçek ka merita të mëdha për punët në Kosovë, ndërsa theksoi se ai vet nuk është i ri në Kosovë, ndërsa do të fokusohet që në bashkëpunim me të zgjedhurit e popullit të zhvillojë Kosovën.
“Shumë gjëra duhet të përmirësohen dhe të kryhen. Legjislacioni në Kosovë është në gjendje shumë të mirë, por problemi mund të jetë zbatimi i tij. Dhe çka është me rëndësi është sistemi gjyqësor, sepse pa pasur gjyqtar të pavarur nuk mund të mbroni të drejtat e njeriut. Kosova ka nevojë që të rinjtë të rrinë këtu dhe Qeveria është në krye të kësaj sfide. Unë do të mundohem të bëjë më të mirën e mundshme si raportues i PE-së, me pozitën dhe opozitën që të krijojmë së bashku të ardhmen e Kosovës”, tha ai./KosovaPress/