Aktuale

Lunacek: BE-ja t’i bëjë presion Serbisë, Ramush Haradinaj është i pafajshëm

“Mbajtja e një urdhër arresti të vjetruar ndërkombëtar nga viti 2004 (!) nga Serbia, i cili është në dialog të moderuar me Kosovën në BE, është krejtësisht e papranueshme”, tha Ulrike Lunacek, raportuese e Parlamentit Evropian për Kosovën, kështu duke iu referuar arrestimit të djeshëm në Francë të liderit të AAK, Ramush Haradinaj.

“Në të njëjtën kohë është e vështirë të kuptohet se pse Franca është duke ndjekur një shembull të këtij arresti, duke qenë një vend që e ka njohur Republikën e Kosovës më 18 shkurt 2008, vetëm një ditë pasi ajo u shpall”, ka thënë Lunacek, transmeton lajmi.net.

Përveç kësaj, Franca ka marrëdhënie të shkëlqyera me Kosovën.

“Unë i bëj thirrje Përfaqësueses së Lartë të BE-së Federica Mogherini, si dhe qeveritë e të gjitha 28 shteteve anëtare të BE-së, veçanërisht ato 23 që e kanë njohur, të gjejnë fjalë të qarta drejtuar Serbisë, për t’i garantuar se urdhër arreste të tillë të vjetruara duhet të tërhiqen.

Haradinaj, siç e dinë të gjithë, ka qenë gjithashtu i liruar dy herë nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavinë”, ka thënë ajo. /Lajmi.net/