Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi ka thënë sot se përgjimet që ditëve të fundit kanë dalë nëpër media nuk përbëjnë vepër penale.
Lumezi në një konferencë për media tha se për ngritje të aktakuzës duhet të sigurohen prova të reja, pasi që këto prova nuk mund të rivlerësohen si bazë e mjaftueshme për fillimin e procedurës penale.
Sipas tij përgjimet që kanë dalë tash së fundi janë përdorur si prova nga prokurori ndërkombëtar i EULEX-it në periudhën kur ishte i dyshuar ish-ministri i Transportit Fatmir Limaj, e të cilat në atë kohë kanë qenë të ligjshme.
“Tani ato prova nuk mund të rivlerësohen si bazë të mjaftueshme për fillimin e procedurës penale. Për ngritjen e akuzës duhet prova të reja të cilat nuk kanë qenë objekt i vlerësimit të prokurorit ndërkombëtar. Ju duhet të keni parasysh parimin e sigurisë në procedurë penale dhe një procedurë penale kundër një të dyshuari nuk mund të zgjas pafundësisht. E keni parë që prokurori ndërkombëtar i ka pasur të gjitha këto përgjime, i ka shqyrtuar dhe i ka vlerësuar që nuk ka bazë për ngritjen e aktakuzës. Tani neve nuk na mbetët asgjë tjetër përpos që të sigurojmë prova të reja lidhur me këto përgjime dhe ato t’i shfrytëzoj në raport me informacionet të cilat i ka pasur prokurori i mëhershëm sepse ndryshe do të shkelet parimi sigurisë së palëve në procedurë’, tha Lumezi.
Ai thekson se tani nuk kanë të gjitha të dhënat e duhura dhe se nëse veprohet tani mund të jetë e parakohshme të japin koment lidhur me rastin. Madje ai tha se askush nuk është i paprekshëm dhe nëse gjejnë elemente të ndonjë vepre penale, atëherë do të veprohet në bazë të ligjit.
“Në këtë moment nuk kemi të gjitha të dhënat e duhura andaj mund të jetë e parakohshme të japim çfarëdo komenti lidhur me rastin. Mirëpo sigurojmë që do të veprojmë në pajtim me ligjin dhe rastet do t’i trajtojmë me përkushtim maksimal dhe profesionalizëm. Si kryeprokurorë i shtetit ju garantoj se askush nuk është i paprekshëm, dhe nëse gjejmë se ka elemente të ndonjë vepre penale atëherë kryeprokurori i shtetit duhet të veproj në përputhje me forcën e ligjit dhe personat përgjegjës do t’i nxjerrën para gjykatave”, tha Lumezi.
Ai më tej ka shtuar se Prokuroria e Shtetit është e mobilizuar në aspektin profesional në analizimin e rastit, ku tha se tani kanë idetë fillestare se si do të procedohet më tutje. Ndërsa, tha se në kohën e duhur dhe në vendin e duhur do të bëjnë publike gjitha veprimet, por që duhet t’i kenë parasysh konfidencialitetin e hetimeve.
E për këtë ai ka ftuar qytetarët dhe mediat që të kenë durim e të lejojnë organin e ndjekjes që të bëjë punën e tij në mënyrë të pavarur, duke siguruar që rasti do të trajtohet në tërësi dhe nëse gjen prova të mjaftueshme personat përgjegjës do të dërgohen para gjykatave.
Lumezi gjithashtu tha se prokurori i EULEX-it ka pasur të gjitha informacionet të cilat janë publikuar në portalin Insajder, mirëpo që sipas tij prokurori e ka konsideruar që niveli i këtyre provave nuk është i mjaftueshëm për të ngritur aktakuzë.
Madje Lumezi tha se nëse veprojnë me prova të njëjta atëherë shkelen të drejtat e pjesëmarrësve në procedurë penale.
“Nëse ne veprojmë me prova të njëjta atëherë duhet me kuptu që shkelen të drejtat e pjesëmarrësve në procedurë penale. Sepse atëherë nënkuptohet që një individi, një person i dyshuar është gjithmonë në hetime. Nëse një prokuror e mbyll një lëndë me prova të njëjta, pas një kohe vije prokuroi tjetër dhe kërkon t’i rihap ato prova dhe t’i vlerësoj prapë, atëherë nuk kemi drejtësi. Por nëse paraqiten prova të reja të cilat ndërlidhen edhe me ato përgjime të cilat janë bërë nga prokurori atëherë krijohet një bazë juridike për të filluar ndjekjen penale për ata persona. Por duhet ta shikojmë me vëmendje se këto përgjime janë bërë në vitin 2011…Mundet me pas elemente të penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare dhe të autorizimeve por edhe përtej veprës duhet të shikohet se a ka kaluar afati i parashkrimit apo jo”, tha Lumezi.
Ndërsa lidhur me deklaratat e Lëvizjes Vetëvendosje rreth përgjimeve, ku kanë thënë se prokuroria ka bazë juridike për të ngritur aktakuzë dhe nëse ata nuk veprojnë do thërrasin popullin, Lumezi tha se rolin e prokurorit dhe gjykatësve nuk mund ta marr as Vetëvendosje, as PDK e askush tjetër.
Ndryshe portali Insajder është duke publikuar përgjimet ku subjekt është deputeti Adem Grabovci i cili në bazë të tyre paraqet ndikimin e tij politik në punësimet e njerëzve nëpër institucione të shtetit. Në këto përgjime janë përfshirë presidenti, kryetari i Kuvendit, ministra, deputetë, zyrtarë të Prokurorisë, Policisë, gazetarë, etj./KosovaPress/